Milanistat, emocionet kuqezi

Yonghong Li mund të bllokojë shitjen e klubit: Çfarë po ndodh?

158
News

Ditë shumë të nxehta në Casa Milan për të ardhmen e klubit. Prej javësh është e njohur dhe konkrete mundësia që klubi i kuqezinjve të ndryshojë sërish duar, duke parë dy ofertat reale të paraqitura në klubin e rrugës Aldo Rossi.

Fillimisht ofensiva e Investcorp, fond me origjinë arabe i drejtuar nga sipërmarrësi Al Ardhi dhe i ndihmuar nga fondi sovran i emirit Mubadala. Më pas përfshirja e konkurrentit RedBird Capital, kompani amerikane që po bën hapa të rëndësishëm përpara.

Por ka një pengesë të re që do të kishte dalë pak ditë më parë. Një ofensivë e papritur e cila, duke vepruar ligjërisht, do të rrezikonte të bllokonte çdo lloj ‘closing’ midis pronarëve Elliott dhe investitorit të ardhshëm. Një çështje që ka të bëjë me ridaljen në shesh e një emri të vjetër që lidhet me Milanin: Yonghong Li.

Një profil misterioz, kalimtar dhe ende sot i konsideruar jo shumë i pastër në botën e financave aziatike. Mister Li është sipërmarrësi kinez që 2017, së bashku me një konsorcium, edhe ai i mbështjellë me mister, arriti të marrë shumicën e aksioneve nga Fininvest dhe u bë president i Milanit.

Presidenca e tij zgjati pak më shumë se një vit. Yonghong Li nuk mundi të shlyente kreditë e dhëna nga fondi amerikan Elliott Management Corporation, që i përkiste familjes Singer, brenda afateve të përcaktuara. Pas një vonese tjetër, Elliott kreu ekzekutimin e pengut dhe, në fakt, u bë pronari i vetëm i A.C. Milan.

Një operacion që zoti Li nuk e ka pranuar kurrë. Kështu, më 26 prill, siç shkruan sot La Repubblica, avokatët kinezë i dërguan një paralajmërim zyrtar Elliott, i cili rrezikon të mos mund të shesë aksionet e Milanit në një kohë të shkurtër. Yonghong Li u kërkon amerikanëve dëmshpërblim prej 319 milionë eurosh. Shifra është diferenca midis 600 milionëve të vlerës së pretenduar të Milan në korrik 2018 dhe 281 milionëve të kredisë së dhënë nga Elliott.

Kohët e gjykimit, veçanërisht për gjykatën e Luksemburgut, të cilës i është drejtuar Yonghong Li, rrezikojnë të jenë shumë të gjata në raste të këtij lloji. Por ndërkohë, menaxheri kinez mund të kërkojë të anulojë ndryshimin e detyrueshëm të pronësisë më 2018 dhe të bllokojë në mënyrë efektive shitjet e tjera të aksioneve të Milan.

Një veprim që ndërlikon planet afatshkurtra, por nevojitet të kuptohet nëse ofensiva ligjore e mister Li ka vërtet mundësi realiste apo është një përpjekje e dëshpëruar e kinezëve për të nxjerrë disa para.


Të gjitha imazhet dhe videot janë të mbrojtura nga e drejta e autorit për pronarët e tyre përkatës

Ju mund të pëlqeni edhe