
Stadium i ri, e dhëna tjetër: ja kush është vendi që do Milani
Javët e fundit, Milani ka zyrtarizuar dëshirën për t’u shkëputur nga Interi dhe për të ndërtuar i vetëm stadiumin e ri. Dhe tanimë nuk është më as sekret zona e preferuar për impiantin e ri, e cila është zona e hipodromit La Maura, hipotezë që pëlqehet edhe sepse do t’i mundësonte rosonerëve të qëndronin në Milano (alternativat e tjera janë të gjitha jashtë kryeqendrës lombarde).
NJË INDICIE E RE
Kështu, gjatë orëve të fundit ka dalë një indicie e re që konfirmon vullnetin e qartë të Djallit: klubi i rrugës Aldo Rossi në fakt i ka kërkuar Komunës zgjatje tre mujore të afatit për dorëzimin e letrave që çertifikojnë pronësinë e skuadrës, dokumente që Palazzo Marino ia ka kërkuar Milanit dhe Interit për të vazhduar projektin për ndërtimin e stadiumit së bashku pranë San Siros. Klubi milanist me pak fjalë shpjegon se burokracia po ngadalëson gjithçka, por përshtypja është se pas kësaj vonese fshihet dëshira për të kuptuar nëse hipoteza La Maura është vërtet e realizueshme.
MASTERPLANI
Në klubin e rrugës Aldo Rossi, ku janë gjithnjë e më të bindur për ta braktisur projektin me Interin dhe do të vazhdojnë vetëm, shpresojnë që së shpejti t’i paraqesin kryebashkiakut Sala masterplanin për stadiumin e ri që do të ndërtohet në zonën e hipodromit La Maura. Këtu, përveç objektit të ri, mund të “transferohet” edhe Casa Milan, aktualisht në Portello. Gjatë ditëve në vijim, do të mësojmë më shumë por kjo vonesë e Djallit është një tjetër tregues se rosonerët duan ta ndërtojnë stadiumin të vetëm.