
S’kanë fund qyfyret: Pas ndeshjes trajneri futbollistëve të tij: “Jeni m**a”
Massimiliano Allegri humb mendjen dhe vërsulet kundër gjithçkaje dhe të gjithëve: fjalët e rënda të trajnerit juventin në fund të ndeshjes
Sigurisht që nuk është një periudhë e lehtë për bardhezinjtë e Massimiliano Allegrit. Është e vërtetë që i janë rikthyer 15 pikët e dënimit, por makthi nuk ka përfunduar. Drejtësia sportive duhet të bëjë akoma rrugëtimin e saj madje dje kanë qarkulluar sërish zëra për një përjashtim të mundshëm nga UEFA, pavarësisht se si shkojnë gjërat në Itali.
Megjithatë, ditët e fundit, gjërat për Juventusin po shkojnë keq edhe në fushë. Në Europa League, mbërriti kualifikimi për në gjysmëfinale pa shkëlqyer, por në Serie A momenti është vërtet i komplikuar: në fakt, në tre ndeshjet e fundit, vetëm humbje, kundër Napolit, Sassuolos dhe Lazios.
Mbrëmë, edhe eliminimi në Kupën e Italisë nga armiku historik, Interi. Bota bardhezi është rikthyer të kritikojë ashpër Massimiliano Allegrin. Tifozët po kërkojnë shkarkimin e tij për shkak të një loje që vazhdon të jetë e dobët. E në fakt është e pashpjegueshme që një skuadër plot kampionë nuk mund të paraqisë një lojë në nivel të lartë.
Tërbimi i Allegrit
Allegri në pas ndeshje është shfaqur veçanërisht nervoz pas ndeshjes, sikur diçka t’i ketë dalë jashtë kontrollit. Të gjithë e panë paksa të shuar, thuajse të dorëzuar. Një imazh që nuk përkon me atë që Allegri ka treguar gjithmonë.
Por mbrëmjen e djeshme, do të kishte ndodhur vërtetë gjithçka: siç ka zbuluar gazzetta.it, Allegri bëri gati sherr me një drejtues të Interit, Dario Baccin, me të cilin janë zënë edhe më parë: kështu do të kishin fluturuar fjalë të rënda nga trajneri livornez kundër gjithçkaje dhe të gjithëve. Madje nuk do të ishte kursyer as Beppe Marotta, me të cilin ka punuar në bardhezi, por edhe skuadra. Gazzetta.it flet për ofendime mjaft të rënda, me kamera të fikura, në nënkalim.
“Jeni m**a! Gjithsesi do të arrini të gjashtët”, do të kishte ulëritur trajneri, i cili më pas duke shkuar në dhomën e zhveshjes do të kishte qortuar skuadrën për një paraqitje jo në lartësi. Kështu do të kishte ardhur premtimi “duhet të përfundojmë para tyre në kampionat, nuk duhet t’i dërgojmë në Champions League”. Gjatë orëve në vijim do të kuptojmë nëse ajo që është raportuar nga La Gazzetta dello Sport është dëgjuar edhe nga inspektorët federalë dhe pra, çfarë pasojash, do të ketë.