
Pioli, bonusi i pasur Champions në kontratë: sa vlen
Njëra nga risitë e kontratës që pakkush e dinte, trajneri rosoner ka edhe një bonus në brendi të kontratës që nënshkroi vitin e kaluar. Ja sa mund të fitojë tekniku parmez shtesë
Ka qenë një moment në sezonin e Milanit kur reputacioni dhe besimi te Stefano Pioli nisi të lëkundej. Për fajë të rezultateve negative dhe performancës së ndrydhur të skuadrës së tij.
Dukej sikur të gjithë objektivat sezonalë mund t’i dilnin jashtë kontrollit brenda pak javësh: gara skudeto e komprometuar nga arratisja e vetmuar e Napolit. Dalje e menjëhershme nga Kupa e Italisë. Por edhe mposhtja në Superkupën e Riad ndaj rivalëve të Interit.
Megjithatë, kush e mbajti ndezur flakën e kompeticionit për Milanin ishte Champions League, një ambient që është i ‘shtëpisë’ për skuadrën rosonere. Pioli pati aftësinë për të ribashkuar një grup në krizë duke filluar nga raundi i të tetave të finales me Tottenhamin dhe që tani është gati për të lozur qasjen në Finalen e 10 qershorit.
Pioli ka besuar gjithmonë: bonuset në rast fitorje të Champions League
Duket paradoksale, por siç shkruan Gazzetta dello Sport, Stefano Pioli ka besuar gjithmonë në garën Champions League të Milanit. Që nga tetori i kaluar, kur trajneri emilian shkoi të diskutonte me klubin rinovimin e kontratës së tij deri në vitin 2025.
Në brendi të marrëveshjes së re, Pioli ka përfshirë edhe një bonus në rast fitoreje në kompeticionin më të mirë evropian për klube. Një paradoks që mesa duket po kthehet në një realitet të bujshëm dhe emocionues. Mjaft të mendohet se Pioli, nëse Milani do të ngrinte kupën e veshëve të mëdhenj, do të fitonte 300 mijë euro shtesë. Rreth gjysmë milioni në total, duke marrë parasysh edhe çmimet për kualifikimin në edicionin e ardhshëm.
Mesa duket ka qenë largpamës Pioli, i cili në një moment të caktuar të sezonit nisi të synonte fuqishëm finalen e Champions League. Superoi me meritë Tottenhamin dhe Napolin dhe tani po përgatitet për Euroderbin e shumëpritur me Interin. Rrugëtimi i Piolit në stolin e Milanit duket gradual dhe padyshim koherent.
Më 2020, Pioli, pas stopit për shkak të pandemisë Covid, e ribashkoi Milanin duke gjetur një grup të uritur dhe të vënë mirë në fushë. Më 2021 u rikthye në kualifikimin e Champions League që klubit i kishte munguar prej tetë vjetësh. Më 2022 arriti të fitonte Skudeton, në një revansh ndaj rivalëve të tij nerazurrë, por me meritë absolute. Më në fund, këtë vit po ëndërron goditjen evropiane. Bonusi në kontratën e tij është ndoshta i vogël për rrugëtimin që ka ndërmarrë deri tani.