
Ora e së vërtetës! Milan, na duhet ndeshja perfekte. Ëndrra dhe adrenalina. Por sa turp…
Ora e së vërtetës është gati të trokasë. Brenda apo jashtë, Ferr apo Parajsë. Sonte do të na duhet ndeshjea perfekte për Milanin në Maradona. Kuqezinjtë pas 16 vitesh kanë mundësinë të arrijnë sërish në gjysmëfinale të Champions League. Herën e fundit më 2007, ku më pas edhe e fitoi trofeun (për herë të shtatë) në Athinë kundër Liverpoolit. Sonte kuqezinjtë do të kenë në dispozicion dy rezultate nga tre, një avantazh i vogël i cili megjithatë do të kushtëzojë në mënyrë të pashmangshme edhe aspektin taktik të ndeshjes. Napoli do të duhet të bëjë ndeshjen sepse do të duhet të rikuperojë rezultatin e ndeshjes së parë, Milani mund të përfitojë me kundërsulmin dhe të shfrytëzojë hapësirat. Situata ideale për futbollistë si Rafa Leao dhe Brahim Diaz. Në Maradona Stadium do të jetë një sheshbetejë e vërtetë, në fushë.
Megjithatë, duhet thënë se në prag të ndeshjes ambienti rreth kësaj ndeshje është bërë gjithnjë e më toksik. Një klimë e pajetueshme në rrjet. Një qëndrimi i paturpshëm dhe i pacipë që është krijuar, sidomos kur rezulton me vrazhdësi në rrjetet sociale, me njerëz që nuk dijnë asgjë dhe japin mend duke hedhur tej punën dhe mundin e një jete të tërë, apo më keq akoma duke kërcënuar me fjalë të papranueshme siç janë fjalitë e shkruara nën foton e Theo Hernandez dhe djalit të tij. Njerëzit që mesa duket e kanë humbur mendjen dhe kanë mbetur pa një fije, dëshirojnë vdekjen ose sëmundjet më të këqija t një fëmijë… për një ndeshje futbolli. Absolutisht për t’u dënuar. Diskutimi vërtetë nis nga neveria që u pa tek Theo por natyrisht shtrihet tek të gjithë ata që janë viktima të fjalëve e akteve të turpshme në rrjetet sociale, pavarësisht skuadrës që i përkasin, janë akte për t’u dënuar me ashpërsi.
Duke iu rikthyer fushës, Pioli ka konfirmuar se ka rikuperuar plotësisht Olivier Giroud pas menaxhimit të bërë gjatë këtyre orëve. Sulmuesi është gati për të luajtur. Thiaw ka zhvilluar një stërvitje të personalizuar, por edhe ai është nisur me pjesën tjetër të skuadrës për ndeshjen jashtë fushe në Fuorigrotta. Skuadra e Milanit është e plotë, do të jenë lojtarët që kanë pushuar në Bolonjë dhe ndoshta pikërisht rikarikim psikofizik mund të jetë edhe çelësi i ndeshjes, veçanërisht në pjesën e dytë kur energjitë nisin të zbehen.
Leao dhe Diaz janë armë vdekjeprurëse, ndërsa mbrojtja duhet të vazhdojë të jetë një bunker, ashtu si në ndeshjet e fundit të Champions League. Për këtë qëllim, momenti i kësaj gare qëndron i gjithi në fjalët e Simon Kjaer që foli për një ëndërr: “Po të më kishin thënë tre vjet më parë se ky do të kishte qenë rrugëtimi ynë, atëherë do të kishim firmosur të gjithë. Janë mbrëmje që do të qëndrojnë me ty për gjithë jetën. Prandaj luajmë futboll, për emocione dhe adrenalinë”.