
Nuk rri dot pa u gërricur, Calhanoglu sfidon sërish milanisët: mesazhi social (FOTO)
Siç e prisnin pothuajse të gjithë, Interi e ruajti epërsinë në ndeshjen e parë dhe eliminoi skuadrën portugeze të Benfikës në çerekfinalet e Champions League, duke iu bashkuar kështu Milanit në atë që do të jetë një gjysmëfinale emocionuese.
Do të jetë një dopjo sfidë vërtet e pabesueshme, me dy ndeshjet që do të zhvillohen në datat 10 dhe 16 maj e që premtojnë vërtet shumë argëtim dhe jo vetëm. Rosonerët dhe nerazurrët janë përballur tre herë deri më tani këtë sezon. Në kampionat nga një fitore për secilën palë (3-2 për Milanin në ndeshjen e parë dhe 1-0 për Interin në ndeshjen e kthimit), ndërsa në Superkupën e Italisë ishte skuadra e Simone Inzaghit që triumfoi.
Megjithatë, e gjithë kjo është e kaluar tashmë dhe dy ndeshjet e ardhshme premtojnë të jenë shumë të ekuilibruara dhe do të jetë shumë e rëndësishme të kuptohet se si do të arrijnë dy skuadrat në takim. Ai që absolutisht nuk dëshiron të humbasë është ishi i rradhës, Hakan Calhanoglu. Turku iku nga Djalli me kosto zero gati dy vite më parë dhe nuk e bëri në mënyrën më të mirë, as me tifozët e as me shokët e tij, aq sa në çdo përballje tensioni është i lartë.
Mesfushori, pasi humbi Skudeton vitin e kaluar në garën pikërisht kundër ish skuadrës së tij, nuk dëshiron absolutisht t’i shohë rosonerët të shkojnë në finalen e Champions League përpara tij.

Pikërisht për këtë dopjo sfidën ndaj të kaluarës ai e konsideron shumë të rëndësishme. Në fakt Calhanoglu festoi në një mënyrë të veçantë kalimin e turit ndaj Benfikës. Në profilin e tij në Instagram, ish milanisti ka postuar një sërë fotosh nga ndeshja kundër luzitanianëve dhe në mbishkrim ka shkruar mesazhin: “Nuk kemi mbaruar akoma”, me një sy dhe dy zemra blu e zi.
Padyshim që referenca e qartë është për dy ndeshjet ndaj rivalëve qytetas. Dëshira e Calhanoglu për të kompensuar fjalët që mori për Skudeton e kuqezinjve është e madhe, veçanërisht nga Zlatan Ibrahimovic. Vazhdon pra sfida mes rosonerëve dhe Calhanoglu, me fatin që i bashkon sërish.