Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Një barazim që i vjen era tallje. Interisti Thiago Motta i gëzuar e Pioli i mërzitur: VAR, jo kështu nuk bëhet

Milani që shkon në Dall’Ara me skuadrën e dytë, vetëm Maignan nuk lëviz nga porta, në krahasim me ndeshjen e së mërkurës në Champions League kundër Napolit, dhe largohet nga fusha e Bolonjës me një lumë keqardhjesh të cilat jo të gjitha për faj të trajnerit dhe djemve.

Reagimet e para për lajmin e kësaj përmbysjeje, të nisura që pardje, sigurisht që nuk kanë qenë të qeta, thënë më butë. Nga njëra anë ata që mendonin se lënia e lojtarëve më të mirë të titullit të pushonin në prag të Champions League do të thoshte një dorëzim automatik ndaj një Bolonje më agresive dhe më në formë se kurrë. Nga ana tjetër, ata që e mbronin një vendim të tillë për shkak të situatës pothuajse unike: mjafton të mendohet se Milani nuk merr pjesë në një gjysmëfinale të Champions League prej 16 vjetësh. Nuk ka asgjë më shumë për të shtuar.

Por sido që të jetë, siç shpesh ndodh në këto raste, fusha tregon krejt tjetër gjë. Tha, para së gjithash, se për të disatën herë nisja e Milanit ishte si një film të George Romero, prej një apokalipsi zombie. 33 sekonda dhe Samsoni i befason të gjithë, duke parakaluar Kalulu në zonën e vogël dhe duke mos i dhënë asnjë rrugë shpëtimi një Maignan të pafajshëm. Në mënyrë të pabesueshme, Milani i rezervave, Vranckx, Ballo-Touré, Origi dhe De Ketelaere zgjohen nga ëndrra e keqe dhe kuptojnë se janë zgjuar, në një fushë futbolli.

Pjesa e parë zhvillohet në një drejtim të vetëm: rosonerët në sulm, rosoblutë në gjysëmfushëm e tyre. Sidoqoftë, një mbrojtje e pastër dhe e rregullt, duke qenë se sulmet e Origi me shokë janë taktikisht korrekte, por teknikisht të pista dhe të pasakta. Mungon drithërima, shkëndijat, shpërthimet që bëjnë diferencën. Vjen pak nga asgjëja në minutën e 40-të, kur Tommaso Pobega lëshon një raketë tokë-ajër që ngrihet, puth shtyllën dhe përplaset pas krahëve të një Skorupski të dëshpëruar.

Në të vërtetë një tjetër blic pati që në minutat e para, kur në zonën e rreptësisë Rebiç e pati mbrojtur shumë mirë topin duke u spostuar majtas, e duke detyruar Soumaoro të bënte një ndërhyrje krejtësisht të parregullt. Bëhet fjalë pikërisht për të famshmen step on foot, një situatë që tifozët kuqezi e dinë përmendsh që nga përjashtimi i Kessie në ndeshjen Champions kundër Atletico Madridit.

Një step on foot që shoqërohet me të verdhën, nuk ke shpëtim. E megjithatë pabesueshmërisht në këtë rast as drejtuesi i ndeshjes Massa dhe as VARi i Di Bellos nuk e panë. Në këtë situatë, e vetmja gjë akoma më e pabesueshme është paturpësia e Thiago Mottas, i cili pas ndeshjes në konferencës këmbënguli të thoshte se nuk ishte penallti në asnjë mënyrë. Si në TV ashtu edhe në sallën e shtypit seç gjeti një kontradiktë dhe nuk i ndahej si refreni i një kënge.

Duke iu rikthyer ndeshjes, në pjesën e dytë ka shumë më tepër lojë. Bolonja merr kurajo dhe përpiqet t’i përgjigjet ofensivave të vazhdueshme të djemve të Piolit, që dora dorës shohin edhe titullarët të rikthehen në fushë. Calabria, Messias, Leao dhe Brahim Diaz: ndikimi është shumë i fortë, por jo vendimtar. Janë shumë situata të humbura prej kuqezinjve: në një moment iludohemi për golin teksa Diaz gjuan lart, nga një pozicion i shkëlqyer dhe… asgjë.

E më pas, pak para minutës së nëntëdhjetë, një tjetër rast i pabesueshëm arbitrar. Në magji në driblim nga Vranckx në zonën e penalltisë, topi shkon në krahun e hapur të Lucumì: është e qartë, e dukshme, e kuptueshme edhe nga një fëmijë se ajo vërtetë nuk ishte një ndërhyrje e vullnetshme, por rregullorja, të cilën i gjithëdituri interisti Thiago Motta e shpërfill qëllimisht, na thotë se në zonën e penalltisë kur gjymtyrët janë në një pozicion të papërshtatshëm është padiskutim një penallti, edhe nëse ka një prekje të mëparshme me një pjesë tjetër të trupit. Faqe 90, rregulli 12: “Futbollisti konsiderohet se po rrit hapësirën e zënë nga trupi i tij në mënyrë të panatyrshme kur pozicioni i duarve/krahëve të tij nuk është pasojë e lëvizjes së trupit për atë lëvizje specifike. Duke i mbajtur duart/krahët e tij në një pozicion të tillë, lojtari merr përsipër rrezikun që ato të goditen nga topi dhe për rrjedhojë të ndëshkohen”.

Ekzaktësisht i njëjti rast si me penalltinë e fërshëllyer për prekjen e topit me dorë nga Messias në Atalanta-Milan sezonin e kaluar. Por edhe këtu arbitri Massa nuk sheh dhe Di Bello i VAR nuk ndërhyjnë. Aq sa disa tifozë, me shaka, shkruajnë: “VAR-i ishte më i shuar se Origi”. Më mirë të qeshësh, edhe pse nervozizmi i Piolit, në kundërshtim me budallallëqet e Mottës, është i dukshëm.

Dhe kështu mbetet shija e hidhur, veçanërisht duke parë se si kundër Empolit ashtu edhe kundër Napolit, Milani ishte vërtet shumë i pafat me arbitrat. Por tani nuk ka më kohë për të kritikuar “ndeshjen e keqe” të VAR-it, tani duhet ‘dhënë jeta’ për ndeshjen e së martës mbrëma në Maradona Stadium. Për të bërë një pjesë të histori. Ose të paktën ta provojmë pa keqardhje.

You might also like