
Milani shkatërrues, përgjunjet Lacio. Tani gati për Interin
Një detyrim për fitore ishte, dhe fitore u bë. Milani, që pas Napolit tani përul edhe Lazion dhe ngjitet sërish fuqishëm drejt vendit të katërt do të ishte perfekt për një shfaqje teatrale në Greqinë e lashtë: është maska që qesh dhe ajo me shprehje trishtuese. Lajmi i mirë: Djalli, pas disa javësh me një ritëm të ngadaltë – tepër të ngadaltë -, është gati për ndeshjen e parë të Euroderbit.
Prova gjenerale shkoi dukshëm shumë mirë: po, një Milan i gatshëm në shpirt, i gatshëm në këmbë dhe i gatshëm në lojë. Por e gjitha kjo nuk ishte edhe aq e padiskutueshme për atë që tek Milani ishte parë nga mesi i prillit e këndej, me përjashtim të Napolit (në kampionat dhe në Champions League).
Por, edhe lajmi i keq është një lajm shumë i keq. Më i keqi i mundshëm: rosonerët humbasin Leaon. E humbën në minutën e 11-të të kësaj ndeshjeje dhe me përjashtim të ndonjë mrekullie, e kemi humbur edhe për të mërkurën. Fatale një lojë pas tetë minutash që i shkaktoi dhimbje të fortë në një muskul të kofshës së djathtë. Në pritje për të mësuar më shumë, bota rosonere po shijon një fitore totale, me prepotencë dhe personalitet ndaj forcës së dytë (dhe mbrojtjes së dytë) të kampionatit. Një Lacio që përgjunjet në Meazza për herë të dytë brenda një jave dhe që sot praktikisht nuk ishte gjëkundi: totalisht e humbur.
ZGJEDHJET – Pioli e përmbysi sërish njëmbëdhjetëshen startuese. E nëse me Kremoneze pati ndryshuar shtatë futbollistë, kësaj here ishin tetë, por me procedurë të kundërt: brenda atyre që tashmë përkufizohen si titullarët – me kimin e trajnerit rosoner -, ata që janë të thirrur në angazhimet më të rëndësishme. Pra, në fushë Kjaer, Theo, trekëndëshi Kruniç-Tonali-Bennacer në zemër të fushës, Leao dhe Giroud, me Messias të preferuar ndaj Diazit në të djathtë. Ndërsa Sarri, përkundër asaj që pati lënë të kuptohet para ndeshjes – deri në fillimin zyrtar të ndeshjes të gjithë janë të lirë të japin idenë e tyre – që në fillim rreshtoi të gjithë ata që teorikisht ishin në dyshim: në fushë si Luis Alberto ashtu dhe Zaccagni, të cilët nuk ishin stërvitur dje. Me Cataldin dhe Vecino jashtë mesfushës së kompletuar nga Marcos Antonio dhe Milinkoviç. Në qendër të sulmit të Immobile, në mbrojtje rikthehet Romagnoli nga skualifikimi dhe në të majtë hapësirë për Elsaid Hysajn. Mirëpo këtu nuk kemi të bëjmë aq me interpretë sa me interpretim. Dhe ajo e Lacios ishte kryesisht një ndeshje e pamjaftueshme. Me një qasje e butë, të lehtë, me një qëndrim sikur të ishte në përfundim të sezonit edhe pse sezoni nuk ka përfunduar ende. Emblematik në këtë kuptim është qëndrimi i Provedel, i cili pas pesë rrotullimeve të orës kishte filluar të ngadalësonte rinisjet nga porta. Zakonisht kjo ndodh në pesë minutat e fundit. Mirëpo Milani e kuptoi menjëherë se nuk kishte përballë ndonjë kafshë vërtet të egër, por një kundërshtar, objektivi i të cilit ishte ta vinte ndeshjen në gjumë dhe bëri atë që duhej të kishte bërë edhe me Kremonezen: më i ashpër, më i shpejtë në përdorimin e topit. Një diferencë tmerrësisht shumë e madhe ishte mbi të gjitha në mesatare: Kruniç e përpiu Milinkoviçin, Tonali e zhbëri Luis Alberton dhe i gjori Marcos Antonio u gjend i vetëm kundër të gjithëve, duke u shndërruar në një pre të lehtë për Bennacer.
KTHESA – Algjeriani e bëri provën gjenerale të golit tashmë që në minutën e 8, duke zhdukur topin në mesfushë dhe duke ndezur Leaon, i cili vrapon rreth 30 metra me topin nëpër këmbë, duke përfunduar në përplasje me Provedel. Vëmendje këtij momenti, sepse mund të kishte qenë pika e kthesës së ndeshjes: ishte pikërisht kjo një goditje fatale për Rafën, i cili në atë moment tregon me dorë kofshën e djathtë dhe u detyrua të largohet nga ndeshja. Një borsë akulli midis ijeve dhe aduktorit. Heshtje sureale në San Siro, edhe (dhe mbi të gjitha) në prag të euroderbit. Milani që pas dhjetë minutash të një sfide jetike për Champions League humbet njeriun e tij kryesor sigurisht që nuk është një lajm i mirë, por njëkohësisht aty ndodhi edhe kthesa e ndeshjes. Në kahje pozitive, patjetër. Rosonerët duket se marrin forcë nga emergjencat. Siç shumë herë ka bërë Milani piolian vitet e fundit. Në vend të Rafës hyn Saelemaekers dhe skuadra ashpërsohet. Shtohet presioni efektiv, si ai i Bennacer mbi Marcos Antonio, i cili mbështeti keq në mbrojtje dhe gjeti Giroud në vend të Casale: shërbim ndaj Bennacerit që godet dhe topi në rrjetë. Një gol që u duk se nuk pati asnjë efekt në botën biankoceleste. Lazio, në të kundërt të asaj që pritej, vazhdoi me ritëm të ngadaltë që rezultoi ishte një ftesë e vazhdueshme dasme për Hernandez, i cili hyri në lojën e tij, ashtu siç i pëlqen: mbështetet në duart e Maignan në buzë të zonës rosonere dhe më pas galopon deri në skajin e zonës kundërshtare, plot 72 metra me top në këmbë, pa arritur të ndalet dot nga kundërshtarët – ndoshta pati një tentative shumë të turpshme të Milinkoviçit. Coast to coast i Theos përfundoi me një të majtë spektakolare plot me efekt e cila pushon nën traversën pasi parakalon Provedel.
KONTROLL TOTAL — Në pushimin midis pjesëve, Pioli lë Calabrian dhe Kjaer në dhomat e zhveshjes për të futur në fushë Kalulu (mbrojtës anësor) dhe Thiaw – rotacione energjike në kuadër të euroderbit –, Sarri u përgjigj me Lazzari dhe Pedro në vend të Marusic dhe Zaccagni, por rezultati dha të njëjtën muzikë si të pjesës së parë: Milan i ashpër, Lazio e butë si sufle, e paaftë për t’u shtyrë deri në çerekun e fundit të fushës. Milani e mbylli ndeshjen ashtu siç e pati nisur (dhe vazhduar): nën kontroll total, madje duke prekur edhe golin e trestë me Thiaw. Interi është i paralajmëruar.