Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Milan, vendi i katërt mund të mos mjaftojë për në Champions League

Seria A kësaj jave do t’i lërë hapësirë angazhimeve të kombëtareve. Milani do të rikthehet në fushë të dielën më 2 prill, për t’u përballur me Napolin në Maradona Stadium, në orën 20:45. Skuadra e Piolit do të duhet të shpaguajë një muaj negativ të marsit në kampionat, me dy humbjet jashtë fushe kundër Fiorentinës dhe Udinezes dhe një barazim në San Siro kundër Salernitanës. Rosonerët në fakt duhet të kthehen e të bëjnë pikë për t’iu përgjigjur konkurrentëve direktë në luftën Champions.

Kështu, gara për tre vendet pas Napolit është gjithnjë e më e ndërlikuar dhe sheh ulje-ngritje të vazhdueshme në klasifikim. Pas ndeshjes së ditës së 27-të, Lazio është ngjitur në vendin e dytë, me 52 pikë. Në vendin e tretë është Interi, me 50, përpara Milanit, i cili është i katërti me 48. Menjëherë më pas janë Roma (47) dhe Atalanta (45). Pastaj është Juventusi, i cili pavarësisht -15 pikëve ka arritur në 41 pikë.

Milani pra, për momentin është në zonën e Champions League. Por me rezerva. Kjo pasi ekziston edhe një skenar në të cilin vendi i katërt nuk do të kualifikohej në kompeticionin më të rëndësishëm evropian. Kështu, rregullorja e UEFA-s parashikon që në kompeticionet e saj të mund të marrin pjesë maksimumi 5 ekipe për shtet. Pra, nëse do të ishin dy skuadrat italiane që do të fitonin njëra Champions League dhe tjetra Europa League, por pa përfunduar në top 4, atëherë do të shkonin ato në Champions League e ardhme, së bashku me 3 më të mirat e Serie A, duke përjashtuar vendin e katërt.

You might also like