Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Milan, tani është radha jote. Cardinale këmbëngul. Merkato: një lamtumirë dhe dy negociata. Dhe Asensio…

Rinisi sot paradite përgatitja e rosonerëve për Napoli-Milan dhe në përgjithësi për një muaj me intensitet shumë të lartë. E nëse rosonerët luajnë si në Firence apo Udine, do të jetë një fund i trishtë e i hidhur, por nëse zbret në fushë skuadra që pamë të mposhtte Atalantën, ose ajo që zhbëri Tottenhamin në Champions League, atëherë Milani mund të thotë të tijën.

U takon lojtarëve të nxjerrin krenarinë dhe agresivitetin, i takon trajnerit të gjejë strategjitë e duhura dhe t’i përgatisë në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjet. I takon drejtuesve të qëndrojë pranë grupit. Tifozët punën e tyre e kanë bërë në mënyre fantastike gjatë gjithë sezonit duke tejmbushur stadiumin çdo ndeshje në shtëpi, e kështu do të jetë edhe për këtë finale që të bën me zemër.

Shumë zëra rreth merkatos. Fillohet nga Dest, i cili nuk do të qëndrojë sezonin e ardhshëm me rosonerët, por për disa javë ishte mjaft i dukshëm. Amerikani nuk përdoret më dhe shpagimi i tij, që është vendosur në njëzet milionë euro, do të ishte një shpenzim i tepërt. Ndërkohë që reagime pozitive vijnë nga negociatat që Milani po zhvillon me Wolfsburgun për Vranckx. Asgjë nuk është vendosur ende, që të jemi të qartë, por djaloshi belg pëlqehet shumë nga drejtuesit dhe po mendojnë ta mbajnë sërish vitin e ardhshëm, me rinovimin e huazimit apo me skonto në blerje.

Lojtari tjetër në lojë është Brahim Diaz. Spanjolli mund të rikthehet në Madrid tek Reali sepse Milani do të donte të shpenzonte një shumë më të ulët se vlerësimi që ka bërë skuadra spanjolle, për më tepër në Madrid janë disa lojtarë në largim dhe Brahim mund të mbetet në organikë.

Tek Real Madridi është gjithmonë Marco Asensio që nuk ka rinovuar ende dhe që Milani ka provuar disa herë për ta veshë rosoner. Tani që është në skadencë, Maldini dhe Massara mund ta provojnë sërish, por çështja do të jetë paga që do të kërkojë lojtari, përveç komisioneve nga agjenti.

Nuk heq dorë Gerry Cardinale, i cili në prill do të jetë sërish në Milano për të takuar përsëri komunën e Milanos dhe rajonin e Lombardisë. Objektivi i deklaruar është ndërtimi i stadiumit të ri në zonën “La Maura”, pak hapa nga San Siro aktual. Takimet me guvernatorin Fontana janë strategjike sepse toka e parkut bujqësor jugor, ku duhet të ndërtohet objekti sportiv, brenda fundit të vitit do të kalojë nën menaxhimin e Rajonit. Më tej, subjektet që duhet të nënshkruajnë një marrëveshje programore janë kryebashkiaku Sala dhe guvernatori Fontana. Pronari i RedBird po ecën përpara me shumë vendosmëri në këtë drejtim, dëshiron t’ia dalë që t’i ndryshojë gjërat dhe po shpenzon shumë me udhëtimet e vazhdueshme në Itali. Nëse burokracia e frenon përsëri Cardinalen, atëherë ai do të shkojë jashtë Milanos, me shumë mundësi në Sesto San Giovanni.

You might also like