
Milan, nesër Cardinale zbarkon në klub: ja pse rikthehet pronari amerikan | Të gjitha arësyet e ardhjes
Rreth njëzet ditë pas herës së fundit, Gerry Cardinale është gati të zbarkojë sërish në Milano: numri 1 i RedBird në fakt pritet nesër për t’i dhënë para së gjithash një përshpejtim çështjes së stadiumit të ri që Milani ka vendosur të ndërtojë i vetëm dhe jo më bashkë me Interin. Brenda javëve të ardhshme, Djalli do të duhet të përzgjedhë edhe zonën në të cilën do të ndërtojë impiantin e ri.
ZONAT NËN VËZHGIM
Janë katër zonat që po shqyrtohen: hipoteza e parë është La Maura, aktualisht favorite pasi do t’i mundësonte rosonerëve të qëndronin në Milano. Por rruga është plot me pengesa dhe për këtë arsye Milan po vlerëson edhe tre zona të tjera alternative: tokat e ish-uzinës së çelikut Falck në Sesto San Giovanni, zonën San Francesco në San Donato si dhe zonën në pronësi të familjes Cabassi midis Assagos dhe Rozzanos (është po ajo në të cilën edhe Interi po mendon të ndërtojë stadiumin e tij).
JO VETËM STADIUMI
Por stadiumi nuk do të jetë e vetmja temë me të cilën do të merret Cardinale në blicin e tij në Milano që do të fillojë nesër: numri një i RedBird do të takohet gjithashtu edhe me drejtuesit e lartë të klubit për një përditësim mbi gjendjen e skuadrës rosonere. Momenti nuk është nga më të mirët, por janë ende çerekfinalet e Champions League për të luajtur dhe kualifikimi për edicionin e ardhshëm, ndaj çdo vlerësim i roleve dhe hierarkive do të shtyhet për deri në fund të sezonit.