
Milan, në San Siro është gjithmonë festë: një milion e gjysmë tifozë bashkë me rosonerët në stadium
Ka momente historike – dhe ne jemi në një prej tyre – ku do të nevojitej kapaciteti i Maracanës. Por e Maracanës së vjetër, asaj të 200 mijë spektatorëve. Dhe, kush e di, ndoshta në një derbi gjysmëfinal si ato të 10 dhe 16 majit, kjo nuk do të mjaftonte. Milani po shkon në spektaklin e madh të Champions League me forcën e lumit të tifozëve. E nëse në vjeshtë ishte evident dhe i prekshëm efekti Skudeto, duhet pranuar se rosonerët e kanë përmbytur San Siron edhe gjatë disa javëve të errëta të 2023. Një entuziazëm i paparë, që e vendos klubin rosoner një hap larg nga një superobjektivi, duke pasur parasysh se në horizont kanë mbetur ende edhe gjashtë ndeshje në shtëpi: një milion e gjysmë tifozë në stadium.
ORA-ORËS- Shifra aktuale, e përditësuar pas ndeshjes së fundit në San Siro kundër Empolit, tregonte 1,426,153 persona në total që kanë parë ndeshjet e Milanit në shkallët e San Siros, pra për të arritur në 1.5 milion, mungojnë edhe 73,847 (ju kujtojmë se kapaciteti maksimal aktual është 75,817 shikues). Objektiv ndoshta i arritshëm që të dielën pasdite me Leçen, ndoshta në vazhdën e entuziazmit të gjysmëfinaleve të Champions League? Me pak fjalë, aty jemi. Mund t’ia arrijmë, apo thjesht ta prekim, por caku po afron duke pasur parasysh që mesatarja 70,000 tifozë për ndeshje tani është një kuotë fikse për Djallin. Më në detaje, nga njëzet ndeshjet në shtëpi të rosonerëve kanë qenë vetëm tre ndeshje ato që kanë rënë nën këtë kuotë: Dinamo e Zagrebit (61,341) dhe dy herë me Torinon (58,000 në Kupën e Italisë, 68,268 në kampionat). Me pak fjalë, nëse nuk arrihet kuota e një milion e gjysmë tifozëve në stadium me Leçen, kjo do të ndodhë në fundjavën e 3 majit me Kremonezen. Nuk ka ku shkon. Maksimumi, pas ndeshjes me puliezët mund të “luajnë” 2-3 mijë persona.
NJË VIT MË PARË — Milani po udhëton me madhështi për sa i përket pjesëmarrjes së tifozëve që nga sezoni i kaluar, kur u arrit dhe u tejkalua 1 milion tifozët në stadium. Kuotë e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se patën qenë edhe kufizimet për shkak të Covid-it si 75% e kapacitetit në derbi dhe vetëm 5 tifozët e lejuar me Juventusin.