Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Milan në Champions League, UEFA paguan bonuse: ja sa fitojmë

Periudha aktuale thotë se Milani vazhdon të mos përjetojë një periudhë të mirë të formës. Janë rezultatet që flasin. Rrugëtimi i rosonerëve në kampionat që kur nisi ky 2023 mund të konsiderohet vetëm zhgënjyes. Pak më shumë se 20 pikë të fituara, shumë pak për skuadrën Kampione të Italisë në fuqi që do të duhej të luftonte edhe një herë tjetër për Skudeton.

Milani është i katërti në renditje, pozicion që nuk jep asnjë siguri për sezonin e ardhshëm. Edhe sepse Roma e Josè Mourinhos është vetëm një pikë larg. Pra, lufta Champions League është e hapur dhe e ashpër dhe dihet, se humbja e hapit për edicionin e ardhshëm do të ishte një zhgënjim i madh.

Ndaj, është koha të ngremë kokën, për të shmangur telashet në funksion të finales së sezonit. Por, nëse është e vërtetë që Milani i Stefano Piolit po has në vështirësi të mëdha në Serie A, po aq e vërtetë është që i ka thyer të gjitha parashikimet në Evropë, pra në Champions League. Kalimi i grupeve dukej si një arritje e madhe, por Djalli i tejkaloi pritshmëritë duke siguruar edhe një vend në çerekfinalet e kompeticionit pas njëmbëdhjetë vjetësh.

Do të jetë Napoli rivali për t’u mundur në përballjen e dyfishtë. Asgjë e thjeshtë. Por në pritje të sfidës së zjarrit, Milani ka realizuar goxha të ardhura falë ecurisë së mirë në Champions League. Të dhënat e fundit raportohen nga kolegët e Calcio e Finanza.

Milan, mbërrijnë paratë nga Champions League: shifrat e bonusit për çerekfinalen

Kështu pra, siç raporton Calcio e Finanza, Milani, Interi dhe Napoli morën bonuset e para nga UEFA për kalimin në të tetat e finalës së Champions League. Secili prej tyre ka arkëtuar nga 9.6 milionë euro. Nga detyrimet e prapambetura nëse mund të thuhet kështu, duke qenë se pagesa i referohet pikërisht raundeve të kaluar, kur Milani kaloi grupet duke mbërritur në të tetat e finales së eventit ku u përball me Totenhamin e Antonio Contes në ndeshjen e dyfishtë.

Në fakt, të tre klubeve u takojnë edhe 10.6 milionë eurove secila për kalimin e të tetave të finales dhe fitimin e një vendi për në të katërtën e Champions League. Siç sqaron Calcio e Finanza, kjo shumë do t’u paguhet më vonë Milanit, Interit dhe Napolit. Ndërkohë, klubi rosoner mund të gëzojë arkëtimet e para, sigurisht duke menduar për të ardhmen me merkaton në qendër të vlerësimeve. E dimë mirë se për sezonin e ardhshëm duhet një normë më e lartë teknike.

Çdo repart i organikës së Stefano Piolit do të duhet të forcohet dhe përmirësohet me lojtarë të vlefshëm. Me vetëdijen e fortë se Milani nuk do dhe nuk është gati për shpenzime të çmendura në merkato. Do të veprohet me politikën e zakonshme të qëndrueshme, por inovative.

You might also like