Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Milan, Leao do të ikë, por të mos presim oferta dhe një zëvendësues në lartësinë e tij

Pauzat prej kombëtares, dihet, janë gjithmonë mundësia më e mirë për t’i dhënë hapësirë ​​mediatike negociatave ose, më saktë, hipotezave të merkatos në funksion të dritares së rezervuar transferimeve më të afërta në kohë. Dhe është kaq normale që ditët e fundit të jemi dëshmitarë të antologjisë më të gjerë të emrave që i afrohen Milanit për verën e ardhshme. Kemi lexuar shumë shumë emra, të moshave nga më të ndryshmet dhe me kostot nga më të ndryshmet, disa prej tyre të ndaluara. Megjithatë, shumica e tyre përqëndrohen në një departament specifik, atë të sulmit. Pra, përtej emrave, kostove dhe negociatave, skenari është shumë i besueshëm dhe logjik. Verën e ardhshme drejtuesit nuk do të mund të shmangin ndërhyrjen radikale në përbërjen e repartit sulmues.

I vetmi për t’u konfirmuar pa asnjë dyshim me rinovimin e kontratës është Giroud, i cili fatkeqësisht do të mbushë 37 vjeç në shtator. Pjestarët e tjerë të repartit janë të gjithë në dyshim. Sa i përket Ibrës, i cili vetëm për të mos i humbur asgjë, ka vendosur që në moshën 41-vjeçare dhe me një vit kalvari duke përfshirë operacionin në gju, ishte e udhës që t’i përgjigjej edhe thirrjes për në kombëtare, besojmë se ka ardhur koha që të mos e konsiderojmë më si pjesë përbërëse të skuadrës. Kjo nuk do të thotë se nuk është e udhës që t’i rinovohet sërish kontrata, por të konsiderohet ekskluzivisht një “plus” dhe reparti i sulmit të ndërtohet në mënyrë të pavarur prej tij. Performanca si ajo në Udine duhet ta bëjnë edhe Piolin që ta përdorë në maksimumin e tij për aq sa mund t’i japë ekipit dhe mënyra më e mirë është sigurisht që të mos e hedhë në fushë që në minutën e parë.

Rebic nuk ka moshën e Ibrës, por pabesueshmëria e tij fizike dhe ulje-ngritjet kronike në performancë sugjerojnë edhe për të se nuk është rasti të këmbëngulë të mendojë për një të ardhme si titullar te Milani. Për Origi, zgjedhja është e detyrueshme duke pasur parasysh peshën dhe kohëzgjatjen e mbetur të kontratës: pra duhet riprovuar domosdoshmërisht vitin e ardhshëm, duke shpresuar që dështimi i këtij sezoni të ishte vetëm pjellë e ambjentimit. Edhe pse më shumë se një dëshirë duket thjesht si një iluzion. E njëjta gjë vlen edhe për De Ketelaere, edhe pse ndryshe nga bashkatdhetari i tij, lë vend për më shumë shpresë, qoftë edhe për nga mosha e tij e re (dhe paga më e ulët). Brahim Diaz sigurisht që do të rikthehet në Madrid, jo aq sepse Reali insiston ta fusë në skuadër ku do të ishte rezerva e rezervave, por sepse Milani nuk ka ndërmend të marrë përsipër kostot e mëdha të shpagimit. Ka të ngjarë që klubi merengue ta huazojë tjetër kund.

Së fundi, vijmë në thelbin e vërtetë të merkatos së rosonerëve, veçanërisht në sulm. Koha për të kërkuar dhe gjetur një akord zgjatjeje me Milanin tani ka skaduar me bollëk dhe kur dy (ose ndoshta tre) palët dërgojnë mesazhe relaksuese të serisë “jemi të sigurt për arritjen e një marrëveshjeje” qartësisht po bllofojnë. E vetmja mundësi që Milani ka për të mos përsëritur me Leaon dëmin financiar të pësuar me arradhën Donnarumma, Calhanoglu dhe Kessiè të humbur në zero, është ta shesë në qershor/korrik. E vetmja mundësi që Maldini ka për të mos e çuar portugezin në pikën e fundit dhe për të fituar para nga shitja e tij është të mbështetet në strategjitë e Jorge Mendes, i cili në fund fare është agjenti i vërtetë i Leaos. Ndoshta, pasi është djegur me rastet e sipërpërmendura të viteve të fundit, kësaj here Milan të zbresë në kompromise me Gestifute dhe do t’ia lërë agjencisë portugeze të sjellë në Casa Milan ofertën më të mirë të mundshme, si për arkat e klubit rosoner, ashtu edhe për ato të lojtarit dhe shoqëruesve të tij. Nuk mungojnë mundësitë në Premier League, duke pasur parasysh edhe se Leao këtë vit po shquhet si në kombëtare ashtu edhe në Champions League. Shumë e vështirë të hipotezosh shumën dhe mbi të gjitha se sa nga shitja e kartonit vetëm një vit para skadencës do të përfundojë realisht në arkat rosonere.

Më sa shohim, e kemi të vështirë të mendojmë se, në arkat e Milanit, mund të arrijë një shifër më shumë se 60/70 milionë. Por sigurisht që Milani nuk do ta ndajë totalisht këtë shifër për blerjen e një sulmuesi tjetër. Jemi më të prirur të mendojmë për një operacion të ndërmjetëm tip Morata ose një rilançim tip Zaniolo. Sigurisht, për fat të keq, për mendimin tonë, të paktën në nisje, të dyja zgjidhjet janë qartësisht inferiore ndaj Rafael Leaos.

You might also like