Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Milan, hipoteza Conte, pas Piolit. Por Champions…

Sezoni i jashtëzakonshëm i Napolit po i vë në rrebeshin e kritikave skuadrat pas krahëve të azurrëve. Nëse në piacën romane dyshja Mourinho-Sarri po shkon fuqishëm drejt objektivit sezonal, nëpër rrugët e Milanos duket se është ftohur entuziazmi për dy trajnerë që kanë sjellë gjithsej 4 trofe. Nëse disa zëra e japin për të sigurtë divorcin mes Simone Inzaghit dhe Interit, për Stefano Piolin e ardhmja në stolin e Milanit duket ende për t’u vendosur.

Milan, e ardhmja është e Contes?

Siç e thamë më lart, mediat sportive të fqinjëve përtej Adriatikut sot në mëngjes ngrenë hipotezën e Antonio Contes, kandidatura e të cilit duket se po avancon. Ish trajneri i bardhezinjve, tashmë në fund të krediteve me Tottenham, mund të rezultojë si një mundësi e shkëlqyer merkatoje. Një shkarkim hipotetik i Piolit, në fakt, do të vlerësohej vetëm në rast të dështimit për t’u kualifikuar në Champions League e ardhshme, me rosonerët aktualisht në vendin e katërt, pra në vendin e fundit në dispozicion.

Por duhet marrë parasysh edhe politika e pagave e diktuar fillimisht nga Elliot dhe tani nga RedBird, me Milanin që nuk shkon përtej limiteve të përcaktuara, siç është parë edhe me rastet e Donnarummës, Calhanoglu dhe Kessié. Dëshmi e kësaj është edhe negociata për rinovimin e Rafael Leaos që ka ngecur të zhvillohet më tej dhe që ndoshta do t’i mbajë të zënë drejtuesit rosonerë edhe për disa muaj të tjerë. Nëse kjo hipotezë mund të avanconte vërtet, atëherë do të ishte e nevojshme të vlerësohej nëse kërkesat e Contes do të jenë në përputhje me disponueshmërinë e rosonerëve.

You might also like