Milanistat, emocionet kuqezi

Milan, do mbesë vetëm njëri: tjetri do të shitet

134
News

Zgjedhjet dhe vendimet e Milanit në merkaton verore do të varen nga faktorë të ndryshëm. Para së gjithash nga nevojat objektive, si gjetja e një mesfushori me peshë për të zëvendësuar largimin e Franck Kessie.

Ndërsa të tjera goditje do të diktohen nga dëshirat e mister Stefano Pioli për të përmirësuar përfundimisht një repart apo një pozicion. Shembulli më i qartë është ai që ka të bëjë me rolin e anësorit të djathtë sulmues. Faktikisht, pavarësisht Skudetos së fituar me meritë, Milani në atë zonë të fushës nuk ka gjetur ende një titullar të besueshëm afatgjatë.

Në kampionatin e fundit, Pioli ka bërë shumë zgjedhje në rolin e titullarit të krahut të djathtë anësor në 4-2-3-1 e tij. Në prag të sezonit të ardhshëm, ka kërkuar nga drejtuesit një përpjekje, ose më mirë thënë, ardhjen e një anësori të fortë. Por në këtë moment duhet përfunduar një lëvizje për t’i lënë vend ardhjes së re që kërkohet në organikë.

Dy futbollistët në pikëpyetje janë të qartë. Alexis Saelemaekers dhe Junior Messias, të cilët u alternuan këtë sezon si anësorë të djathtë të mesfushës sulmuese. Duket se Milani është gati të bëjë një zgjedhje dhe të largojë njërin mes belgut dhe brazilianit.

Siç shkruan Corriere dello Sport, në skuadër do të mbetet vetëm njëri nga këta dy anësorë. Përdorimi i zgjedhur nga Pioli nuk lë hamendësime të mëdha: trajneri i rosonerëve i ka alternuar shpesh, veçanërisht në raundin e dytë. Mjafton të thuhet se Messias mori hapësira në fazën e mesme të sezonit, ndërsa Saelemaekers u rikthye në sprintin final.

Por cili rrezikohet seriozisht të largohet? Do të varet shumë nga merkato, por e sigurta është se njëra prej të dyve do të bëjë gati valixhet javët në vijim. Messias ka më shumë gjasa të përshëndesë për një çështje shumë të thjeshtë: nuk është ende një futbollist në pronësi të Milanit, duke qenë i huazuar nga Crotone deri më 30 qershor.

Milani mund ta shpagojë atë së shpejti, por vetëm me një zbritje karshi 5.4 milionë eurove të rëna dakord. Në atë pikë mund të qëndronte, duke pasur parasysh edhe bujarinë dhe profesionalizmin e treguar në sezonin e tij të parë milanist. Në të kundërt do t’i shitet ofertuesit më të lartë, me Monzën e Gallianit gjithmonë të interesuar.

Nga ana tjetër, ka nga ata që e konsiderojnë Saelemaekers më të prirur drejt largimit. Pavarësisht moshës së re (është një klas ’99) dhe kufijve për përshtatje dhe përmirësim, belgu nuk konsiderohet më një titullar i përhershëm. Por një xholi interesante, më shumë për stolin sesa për çdo gjë tjetër. Mund të mbetet, edhe për shkak të dinamizmit më të madh në krahasim me Messias, por në rast të një oferte serioze prej të paktën 15-20 milionësh duhet t’i bëjë gati valixhet.


Të gjitha imazhet dhe videot janë të mbrojtura nga e drejta e autorit për pronarët e tyre përkatës

Ju mund të pëlqeni edhe