
Messias në lot: rrëfimi i brazilianit
Historia e Junior Messias është vërtetë ngashëryese. Braziliani i Milanit është rrëfyer duke nxjerrë në dritë edhe këtë prapaskenë
Kur Milani e mbylli merkaton verore 2021 me blerjen e Junior Messias nga Crotone, më shumë se një tifoz rosonerë rrudhi hundët, duke menduar se ishte një blerje pak inteligjente dhe të papërshtatshme për nivelin e rosonerëve.
Mirëpo Messias, në këto gati dy vjet me fanellën numër 30 të Milanit i befasoi paksa të gjithë. Cilësi shumë të mira teknike, personalitet të mirë dhe pa frikë për të bërë ndeshje të rëndësishme, madje edhe në nivelin evropian.
Historia e tij personale ka bërë ndryshimin: Para se të bëhej një futbollist profesionist dhe të zbarkonte në Serie A, Messias ka jetuar në Piemonte me familjen duke kryer punë nga më të përulurat. “Për një javë, gruaja ime dhe unë bënim pazarin me vetëm 5 euro në xhep. Punoja midis tullave, pastaj fillova të bëj shpërndarësin. Ishte e vështirë të mbaje frigoriferë 150 kg në shpinë” – tregon futbollisti i Milanit.
Megjithatë sot ato kohë pasigurishë dhe vështirësishë janë larg. Messias arriti të besonte në potencialin e tij, si dhe Maldini dhe Massara që u treguan të zgjuar kur e morën, pavarësisht se nuk kishin ndonjë emër apo kishte bërë gjëra të jashtëzakonshme deri atëherë.
I intervistuar nga Magazine UEFA Champions League, braziliani ka folur pikërisht për të tashmen e tij: “Sot nuk mund të mos e vlerësoj atë që kam. Njerëzit më thonë se unë jam me fat dhe i pasur, por në realitet çdo euro që shpenzoj ka një vlerë të pafundtë për mua. Nuk kam frekuentuar ndonjë Akademi të veçantë, erdha në Itali për të ndërtuar një karrierë i vetëm. Duke menduar që tezja ime, një grua shumë fetare, ka patur një vizion për mua që unë do të luaj për një ekip të madh evropian…”.
Shumë e ëmbël dhe ngashëruese prapaskena e Messias për golin e tij të parë në Champions League: “Pasi shënova kundër Atletico Madrid, kam qarë, nuk e fsheh. Ishte sikur të jetoja një ëndërr, diçka e paimagjinueshme. Shumë fëmijë ëndërrojnë të luajnë në Champions. Të shënosh në debutimin në këtë kompeticion të jashtëzakonshëm, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë”.
Junior Messias, sulmues anësor klas 1991, ka lindur në Brazil. Pasi dha goditjet e para në rinjtë e Cruzeiro vendosi të largohej për në Itali. Karriera e tij futbollistike është zhvilluar në Piemonte, në kategoritë e ulëta. Më 2019 ndodh edhe kthesa e madhe: vërehet nga Crotone teksa luante në Gozzano dhe e mori në Serie B.
Nga ai moment nisi ngjitja deri në thirrjen nga Milani, që në gusht 2021 e huazon me të drejtën e blerjes. Që nga viti i kaluar është përfundimisht një futbollist rosoner, me 63 paraqitje zyrtare dhe 12 gola deri më tani.