
Merkato Milan / Lëvizja surprizë: “Maldini propozon shkëmbim!”
Milani ka nevoja të ndryshme dhe – për rrjedhojë – shumë objektiva merkatoje për verën e ardhshme. Nevoja numër një është përforcimi i sulmit me të paktën një qendërsulmues të ri të nivelit të lartë. Por rosonerët do të duhet të punojnë shumë për të përmirësuar edhe repartet e tjera.
E para padyshim është mesfusha. Të vetmit lojtarë të sigurt për rikonfirmim janë Tonali, Bennacer dhe Kruniç. Adli, Bakayoko, Pobega dhe Vranckx ndoshta edhe mund ta përshëndesin Milanin, disa përkohësisht e disa përgjithmonë. Ideja e Maldinit dhe Massarës do të ishte të përqëndroheshin mbi një lojtar më teknik si zëvendës-Bennacer dhe një lojtar më muskuloz si Kessie. E në fakt që tani kanë filluar të qarkullojnë shumë emra interesantë.
Nga Ruben Loftus-Cheek tek rastet me parametër zero (Dahoud, Aouar, Keita), duke kaluar nëpër shumë ide të tjera pak a shumë të shtrenjta, por sigurisht interesante: Milani tashmë e ka një listë të gjatë të synimeve në merkato për mesfushën. Mirëpo gjatë këtyre orëve, ka dalë edhe një emër i ri i rëndësishëm surprizë, për të cilin Maldini tashmë do të kishte lëvizur konkretisht.
Ofertë shkëmbimi
Siç thamë, ndër emrat e parë në fletoren e Maldinit është padyshim Loftus-Cheek, mesfushor që Chelsea synon ta nxjerrë në merkato gjatë verës. Milani e ka nuhatur prej kohësh aferën. Por çmimi (25 milionë euro) dhe konkurrenca e fortë ndërkombëtare i kanë detyruar rosonerët të shohin përreth për objektiva të tjerë të mundshëm.
Risia në këtë kuptim përfaqësohet nga Samuele Ricci i Torinos, i cili është bërë objekt i dëshirës së shumë klubeve italiane. Në fakt, 21-vjeçari do të kishte tërhequr jo vetëm vëmendjen e të dy milanezeve, por edhe të Napolit, kampionit të ardhshëm të Italisë. Kostot janë tashmë shumë të larta (po flasim për mbi 30 milionë euro), madje – sipas Tuttosport – Kajro nuk do të kishte ndërmend të shiste xhevahirin e tij më të çmuar. Por Milani do të kishte një karton për të bindur Torinon dhe Maldini do ta kishte vënë tashmë në tavolinë.
Për të zbutur pozicionin e granatave dhe për të ulur çmimin e kartonit të Riccit, Maldini do të kishte ofruar në këmbim një lojtar shumë të mirëpritur për Toron dhe Juric: Tommaso Pobega. Mesfushori rosoner është rritur shumë gjatë aventurës së tij në Torino, ku ka lënë një kujtim të mirë. Juriç e vlerëson në mënyrë të veçantë dhe ndoshta, pra, ky mund të jetë edhe çelësi i duhur për të djegur konkurrencën dhe për t’ia rrëmbyer Riccin klubit të Kajros.