
Merkato Milan / Giroud këshillon një futbollist të Chelsea: “Do të na ndihmonte”
Po e përsërisim prej kohësh dhe është një çështje e padiskutueshme, por merkato e ardhshme rosonere do të kushtëzohet pashmangshmërisht prej kualifikimit apo jo në Champions League. Shprblimet e pasura UEFA janë shumë të rëndësishme për buxhetin dhe mundësojnë të kemi më shumë burime për fushatën e re të blerjeve. Dhe kjo nuk është sekret.
Llogaritë e Milanit janë në përmirësim të vazhdueshëm dhe konfirmimi në Champions do të bënte të mundur që projekti të vazhdonte me më pak “shqetësime”. Skuadra e Stefano Piolit ka nevojë për përforcime në çdo repart, duhen para për të investuar për emra të një niveli të lartë. Shpresa është që qëllimi të arrihet, do të ishte një mëkat i madh nëse do të ndodhte ndryshe.
Ai i Milanit është një projekt që bazohet parasëgjithash mbi të rinjtë dhe nuk mund të thuhet se nuk ka sjellë rezultate. Më pak se një vit më parë tifozët kuqezi festuan fitoren e Skudetos së 19-të. Por këtë sezon u tha edhe se skuadrës i duhen lojtarë më me përvojë, me rëndësi më të madhe ndërkombëtare. Dhe ata nuk janë të lehtë për t’u marrë, sepse kushtojnë, por drejtuesit duhet të bëjnë disa reflektime në merkaton verore.
Ndërmjet emrave më me zë që gjatë këtyre muajve janë afruar me Milanin është edhe ai i Christian Pulisiç, të cilin Chelsea e konsideron të shitshëm. Por midis kartonit dhe pagës, bëhet fjalë për një operacion shumë i ndërlikuar. Sigurisht që pronësia e RedBird Capital Partners nuk do ta kishte problem të kishte një lojtar të fortë amerikan në organikë, por çdo blerje duhet të jetë në përputhje me ekuilibrin e buxhetit.
Sidoqoftë, është dikush që do të ishte shumë i lumtur po ta kishte si shok skuadre: dhe ai është Olivier Giroud. Sulmuesi rosoner ka luajtur me Pulisic te Chelsea dhe, i intervistuar nga CBS, praktikisht ia ka rekomanduar atë Milani: “Besoj se njerëzve këtu do t’u pëlqente shumë. Është padyshim një emër i madh në Evropë, do na ndihmonte. Është një lojtar me shumë cilësi dhe talent të madh. Ishte një djalosh i qeshur dhe ne kishim një mirëkuptim të shkëlqyer në fushë. Dinim si ta shfrytëzonim njëri-tjetrin”.
Giroud është i bindur se ish-Borussia Dortmund do të ishte një plus perfekt për skuadrën. Ai beson se i ka të gjitha karakteristikat për ta përmirësuar Milanin. Sot është e vështirë të imagjinohet një operacion i tillë, për të gjitha arsyet e përmendura më sipër, por nëse Chelsea do të hapet për një huazim, asgjë nuk përjashtohet. Të shohim nëse Paolo Maldini dhe Frederic Massara do të bëjnë një tentativë për Pulisiç.