
Merkato Milan/ E bujshme: Galliani merr De Ketelaere
Hipoteza e çmendur e CDK në Monza: “Condor” Galliani mund të bëjë një tjetër nga të tijat, duke ia rrëmbyer belgun Milanit
Te Milani, De Ketelaere nuk bind aspak, pavarësisht mundësive të shumta për të fituar tifozët dhe trajnerin, ndaj është hedhur disa herë hipoteza e një transferimi të mundshëm, që mund të ndodhë vërtetë, madje brenda Serie A.
Milani vjen nga një periudhë e luhatshme në të cilën ka arritur suksese në Champions League, por edhe çaluar në kampionat. Ndërkohë, Napoli është shpallur kampion dhe Milani është i detyruar të luftojë për një vend në Champions League e ardhshme. Por nëse Djalli dëshiron të luftojë vërtetë për të rikthyer në shtëpi yllin e dytë në fanellë, do t’i duhet së pari të luftojë në fushë, por duhet ta bëjë edhe në merkato.
Për këtë mendojnë Maldini dhe Massara, në përpjekje për t’i blinduar talentet që e kanë marrë për dore skuadrën e Piolit. Po flasim për fenomene si Leao, Giroud, Maignan dhe të tjerë. Vetëm për portugezin, çështja e rinovimit është ende në pikëpyetje, edhe pse anëve të klubit të rrugës Aldo Rossi buron besim. Kështu, pothuajse të gjitha shtyllat e skuadrës duhet të konfirmohen si nga klubi ashtu edhe nga trajneri për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë që ndryshe është situata për një “fantazmë”, si Charles De Ketelaere, i cili ndonjëherë në fushë është por nuk shihet. Hyn dhe është fare pak ndikues (për të mos thënë aspak), luan titullar dhe nuk bind: për këtë klubi do të kishte menduar një parantezë të re të bujshme te Monza.
E bujshme De Ketelaere: mund të shkojë në Monza
Charles De Ketelaere është e panjohura e madhe e këtij sezoni të Milanit. Mesfushori sulmues erdhi nga Bruges për rreth 35 milionë, por vlera e tij – sipas Transfermarkt – duket se tashmë ka rënë nën 30 milionë. Të gjithë faktorë që bëjnë të mendohet për një sistemim të ri për të.
Charles ka grumbulluar, midis një ndeshjeje e një tjetre, midis një turnoveri dhe një tjetri, 29 paraqitje në Serie A dhe 7 nëpër kupa. Në të gjitha këto, ka luajtur vetëm 1000 minuta, pak për të treguar se çfarë është në të vërtetë i aftë. Këto arsye i shtynë drejtuesit e klubit të vlerësojnë transferimin e tij në klube të tjera të Serie A, që mund ta mirëprisnin në formë huazimi, duke i dhënë minuta të çmuara dhe përvojë të dobishme për të shpaguar veten në Itali.
Pikërisht kësaj hipoteze i mëshojnë sot edhe kolegët e të përditshmes sportive La Gazzetta dello Sport, sipas të cilëve, Monza e Berlusconit dhe Gallianit mund të jetë zgjedhja e parë për drejtuesit e Milanit nëse do të donin që ta huazojnë CDK. Një ambjent në rritje dhe pa presion do të ishte më i miri për të, por padyshim që tani për tani bëhet fjalë vetëm zëra dhe të tillë mbeten.
Cilësitë sigurisht që nuk i mungojnë, edhe sepse ndryshe nuk do t’i arrinte kurrë shifrat e një kampioni që u panë në Belgjikë. Goditjet e klasit janë shumë të shpeshta në repertorin e tij: me taban apo thembër shpesh arrin të bëjë lojëra të bukura apo t’u shërbejë shokëve. E gjithë kjo e bën De Ketelaere një lojtar të vlefshëm me një vizion loje unik, por që ndoshta i duhet vetëm kohë për t’u ambientuar në një kampionat si Seria A.