
Merkato Milan / Bomberi i ri, ja emrat e nxehtë për Djallin
Milani i Stefano Piolit do të presë Lecce-n nesër pasdite (18:00) në ‘San Siro’ për ditën e 31-të të Serie A. Objektivi është vetëm fitorja për të qëndruar në luftë të plotë për një nga katër vendet e para në kampionat: i cili do t’i jepte akses për në Champions League e ardhshëm. Shumë nga lëvizjet e Milanit në merkato, në fakt, në funksion të verës së ardhshme do të varen edhe nga kompeticioni evropian në të cilin do të luajë Djalli. Sidoqoftë, drejtuesit e kuqezinjve, Paolo Maldini dhe Frederic Massara kanë një plan për çdo eventualitet.
VAZHDOJNË RINOVIMET
Goditja e parë e merkatos për Milanin tashmë ka ardhur: Olivier Giroud, bomberi rosoner, ka rinovuar për deri më 30 qershor 2024. Kështu edhe sezonin e ardhshëm do të jetë sërish qendërsulmuesi i Milanit. Një çështje tjetër që duhet mbyllur – në një kuptim a në një tjetër – deri në fillim të qershorit është ajo që ka të bëjë me rinovimin e kontratës së Rafael Leãos. Me Milanin në Champions League, negociata do të jenë në të tatëpjetë. Përndryshe, nuk do të ishte utopike të mendohej edhe për një shitje. Me Maldinin dhe Massarën, të cilët, në atë pikë, do të duhej të kërkonin zëvendësuesin e tij (të fortë) nëpër Evropë.
ÇËSHTJA E SHPAGIMEVE
Prandaj, për të mbërritur në merkaton verore me një orgamilë e cila që tani është pjesërisht të strukturuar, Milani do të duhet të përcaktojë edhe situatat e katër lojtarëve që aktualisht luajnë për kuqezinjtë në formë huazimi. Sergiño Dest dhe Tiémoué Bakayoko janë në prag lamtumire: pra, nuk do t’i paguhen përkatësisht 20 dhe 17 milionë euro Barcelonës dhe Chelsea. Në pikëpyetje edhe Aster Vranckx, i cili mund të blihet nga Wolfsburg për 12 milionë euro, por nuk është e sigurt. Së fundmi, kuqezinjtë do të donin të përqëndroheshin te Brahim Diaz, por do të duhet të kuptohet edhe se çfarë synimesh do të ketë Real Madridi, pronari i kartonit të tij, për fantazistin andaluzian.
NJË SULM I RI
Shumë trazira në merkaton e ardhshme verore Milani do t’i ketë në repartin ofensiv. Duke u nisur nga pasiguria për të ardhmen e Leaos, do të shkohet drejt shitjes së Ante Rebić dhe Divock Origi, dy nga zhgënjimet më të mëdha të sezonit. I pari duhet të rikthehet në Bundesligë, i dyti në Premier League. Kështu, Djalli do të ketë edhe një thesar për të gjetur zëvendësit përkatës. Ka mundësi që një pjesë e madhe e buxhetit në dispozicion të Maldinit dhe Massarës të kanalizohet drejt blerjes së një qendërsulmuesi, duke qenë se edhe fati i Zlatan Ibrahimović është gjithashtu i pasigurt. Deri më sot, ai është më shumë jashtë sesa brenda Milanit 2023-2024. Por cilët janë emrat ‘hot’ në fletoren e Milanit?
EMRAT HOT
Një nga sulmuesit që Milani do ta blinte me kënaqësi në merkaton e fundit verore të ardhshme luan në Serie A. Bëhet fjalë për Rasmus Højlund, klas 2003 i Atalantës. Një tjetër është italiani Gianluca Scamacca, klas 1999 te West Ham. Mbetet i gjallë edhe hipoteza Mauro Icardi, klas ’93, i cili do të kthehet te PSG pas një sezoni (shumë pozitiv) i huazuar te Galatasaray. Nuk duhen nënvlerësuar, pra, pistat transalpine. Në fakt, Djallit i pëlqen edhe Folarin Balogun, klas 2001 i Arsenali, por i huazuar këtë vit në Stade de Reims, si dhe Loïs Openda klas 2000 i Lens e, mbi të gjitha, Jonathan David, gjithashtu klas 2000, por nga Lille. Midis zërave, sondazheve dhe negociatave, klubi është në punë. I vetëdijshëm se kujtdo që do t’i drejtohet, mund të jetë një goditje e madhe për të tashmen dhe për të ardhmen.