Milanistat, emocionet kuqezi

Meritat e pronësisë, drejtuesit, Pioli dhe futbollistët. Kur do rinovojnë Maldini dhe Massara? Ibra, heroi homerik!

News

Po i shijoj minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite këto momente. Ekzaktësisht prej njëmbëdhjetë vjetësh, madje, të them të drejtën prej dhjetë, por 2012, dua të harroj, nuk po i përjetoj ato ndjesi.

Ndonjëherë mendoj dhe nuk më duket e vërtetë që po luftohet për një objektiv sa të jashtëzakonshëm aq edhe të merituar. Urimet më të mira për pronësinë. Me gjithë dyshimet fillestare sidomos të atyre që mendojnë se dinë gjithçka dhe nuk dinë asgjë, mbi të gjitha nuk kanë përulësinë që të presin para se të gjykojnë, kanë çuar përpara strategjitë e tyre, filozofinë e tyre. Milani është një klub i virtytshëm, të cilin shumë e studiojnë e të tjerë e kanë zili.

E megjithatë edhe sot, kur bëhet fjalë për Botman, Origi, ndoshta Sanches, ndoshta Deulofeu, shoh buzëqeshje ironike dhe të çuditura. Duan blerjen mediatike, emrin e madh. Humbje e kotë energjishë sepse objektivat tashmë janë studiuar dhe do të ndiqen, me vëmendje dhe besim. Me meritë të madhe prej drejtuesve të Casa Milan.

Qetësia dhe ftohtësia e Ivan Gazidis, intuitat e të plotfuqishmëve të merkatos, Paolo Maldini dhe Ricky Massara, njohuritë e Geoffrey Moncada.

Sot Milani mund të numërojë në organikën e tij të paktën pesë lojtarë, titullarë të mundshëm në të gjitha top klubet evropiane. E kam fjalën për Maignan, Theo Hernandez, Tomori, Tonali dhe Leao. Por vëmendje edhe për Pierre Kalulu, për të cilin nuk do të habitesha po të thirrej nga Deschamps, për botërorin e ardhshëm. E meqë ra fjala, kontrata e Paolo Maldinit dhe Ricky Massara skadon pas 50 ditësh.

Konfirmimi i tyre duket i padiskutueshëm, por ndoshta do të ishte e përshtatshme që ata të fitmosnin ndoshta para fillimit të merkatos. Domethënë një ditë pas përfundimit të kampionatit. Për t’u dhënë edhe më shumë forcë në negociatat për lojtarët që do të blihen dhe me ata që janë afër rinovimit.

Një duartrokitje e madhe edhe për Piolin. Lëvizjet e tij taktike, të studiuara nëpër fushat e Milanellos, apo përgjatë ndeshjeve, e kanë shndërruar në një Karl Von Klausewitz të vogël.

Siç e kam thënë edhe në raste të tjera, merita më e madhe është ajo e përmirësimit të lojtarëve që stërvit çdo ditë. Nuk ka kuqezi që nuk është bërë më i mirë, më konkurrues, teknikisht dhe taktikisht më i përshtatshëm për çdo situatë që krijohet gjatë ndeshjes. Në fushë zbresin lojtarët, që kanë arritur të kapërcejnë çdo pengesë, çdo lloj presioni dhe tensioni në këto dy vite.

I përjetova shumë keq dhjetë minutat larg golit në Veronë, deri në golin e barazimit të “Shkëlqimit Flakërues” Tonalit. Doja, s’doja më erdhën menjëherë në mendje imazhet e Verona 1973, të asaj pasditeje të tmerrshme. Më pas, tifozët pranë meje, ia rifilluan sërish të këndojnë, të imituar menjëherë nga … Djemtë, të cilët ngritën ritmet e tyre të lojës.

Kanë mbetur tashmë edhe dy ndeshje. Edhe 180 minuta. Atalanta do të jetë një pengesë e komplikuar sepse është… ndeshja e radhës. Siç ishin Genoa, Lacio, Fiorentina dhe Verona.

Më ngushëllon performanca, siguria e treguar në çdo situatë, dëshira për të arritur objektivin e madh. “Në histori hyn vetëm fituesi”, kujton Zlatan Ibrahimovic. Luftëtari i madh po kuron plagët. Shokët e tij janë si grekët nën qytetin e Iliumit, kur Akili dilte nga çadra.

Dëgjojmë të njëjtën gjëmim që shoqëron Ibra Supremacy kur ngrihet nga pankina. Ata ndihen më të fortë. Ne ndihemi më të fortë. Falë këtij heroi homerik, një heroi që kurrë nuk do të harrojmë ta lavdërojmë. Nëse jemi këtu për të përjetuar këto orë të mrekullueshme, është falë edhe, dhe ndoshta mbi të gjitha, prej tij. Kampion i madh, i mrekullueshëm!


Të gjitha imazhet dhe videot janë të mbrojtura nga e drejta e autorit për pronarët e tyre përkatës

Ju mund të pëlqeni edhe