
Me Napolin ishte gjithçka e shkruar. Pioli dhe një derbi i çmendurisë së kthjellët. Kampionati mbetet prioritet. Vetëm një gjë për Juventusin…
Nuk ishte vetëm Covid, nuk ishte pasojë e këtij kalendari me kaskada pjellë e pandemisë, FIFA-s dhe UEFA-s: futbolli ka qenë gjithmonë një kalë i paepur, i aftë t’i rebelohet logjikës, parashikimeve, duke përmbysur vlera, shifra, statistika. Në gjysmëfinalet e Champions League janë 4 skuadra të cilat nuk kryesojnë asnjëra prej tyre renditjen e kampionateve të tyre, janë 2 – ato milaneze – të cilat janë vërtet të shkëputura nga kreu, të paqëndrueshme, të paplota, ndoshta belbëzitëse në Serie A. Por në Evropë janë aty, me meritë, sepse me autoritet kaluan grupet e tyre të komplikuara, duke i superuar të tetat dhe arritur në të katërtat falë forcës e vullnetit si dhe duke i shpalosur në fushë të gjitha cilësitë që kanë.
Rosonerët në 6 ndeshjet e fundit kanë pësuar vetëm një gol (të padobishme dhe në kohë shtesë, atë në Napoli), duke luajtur me përulësi, egërsi, vendosmëri dhe bindje. Kanë në Champions League atë urinë që patëm ëndërruar edhe vjet, në ndjekje të Skudetos. Përshpejtimi i rritjes mendore të kësaj skuadre ka vetëm një protagonist të madh, quhet Stefano Pioli: ai ka vazhduar këtyre anëve të ngrejë pandërprerë stekën prej 3 vitesh e gjysmë, i është rikthyer rrënjosjes së vlerave të këtij klubi në shpirtin dhe në mendjet e lojtarëve, ai mori në anën e tij suportin dhe mbështetjen vendimtare të Paolo Maldinit dhe Zlatan Ibrahimoviç për mësimin e këtyre të rinj që të shndërroheshin në luanë.
Çelësi i dopjo sfidës kundër Napolit ishte gjithçka. Nga njëra anë, vetëdija disi sipërfaqësore për të qenë të paracaktuar dhe pamasë më të fortë, që ditën e shortit. 0-4 në kampionat? Një parantezë e parëndësishme. Rezultati i ndeshjes së parë? Një rast, kryesisht për shkak të një arbitrazhi fatkeq. Ndeshja e kthimit? Një formalitet për t’u plotësuar me numërator. Ambjenti napolitan ka qenë vazhdimisht i mbingarkuar, përtej masës së lejuear, duke u kapur pas diçkaje tjetër dhe duke nënçmuar madje edhe injoruar plotësisht vlerën e kundërshtarit. Kurth në të cilin ranë edhe shumë opinionistë, madje edhe ata asnjanës. Milani u mbyll aty, duke përjetuar dy pjesë të dyta plot vuajtje në limit të barrikadave, duke u denatyruar për të pushtuar vijën e finishit, duke u ndjerë i vetëdijshëm për forcën e Napolit. Milani qëndroi në rrugën që kishte parashkruar, duke i injoruar këmbanat dhe bilbilat, pa u ankuar që gabimet më të mëdha në San Siro arbitri i kishte bërë në dëm të tij, në kurriz të rosonerëve. Madje Milani edhe fjeti shkëlqyeshëm natën e fishekzjarreve, iu përgjigj ashtu siç deshi ai Maradonës duke i dhënë më shumë zë 3500 tifozëve të tij të jashtëzakonshëm sesa 50.000 të tjerëve të mekur.
Kjo është Europa, kjo është Champions League, kjo është shtëpia e rosonerëve. Nuk e vuri re askush, por gjithçka ishte shkruar: nga njëra anë krenaria, ngopja dhe kryemadhësia, nga ana tjetër përulësia dhe uria. E kam shkruar edhe më parë: nuk arrin deri në fund domosdoshmërisht ai që është më i fortë, por më i miri, ai që është në formën më të mirë. Dhe kështu ndodhi.
Tani le ta lëmë Napolin të mendojë për 2 humbjet rresht dhe një barazim të kapur në minutën e 93-të në 3 ndeshje të luajtura për 20 ditë, 6 gola të pësuar dhe një gol i kotë i shënuar në minutën e 93-të të të ndeshjes së tretë, janë fryt i superfuqive politike apo të fushës. Le të ngushëllohen me faktin se një vit më parë në Itali kjo zhurmë false nuk u bë as për gabimet shumë më të rënda dhe ndëshkuese ndaj kuqezinjve si ato në ndeshjet kundër Ateltico Madridit, Portos dhe këtë vit kundër Chelsea në San Siro.
Tani dopjo derbi, një sfidë çmendurie e kthjellët për ata që vetë patën guxuar ta parashikonin këtu që në gusht 2022, apo në shorte, apo në shkurt, ose në mars. Çmenduri e kthjellët që një qytet do ta përjetojë me krenari, duke menduar secili për stadiumin e tij dhe ndoshta kjo ngjarje mund edhe do të rikthejë një minimum kthjelltësie edhe në çmendurinë e politikanëve.
Kampionati, tashmë është kampionati që duhet të jetë prioriteti absolut. Sepse vetëm duke fituar e duke ndihmuar vetveten për të fituar dhe duke u ngjitur në klasifikim shkojmë në gjysmëfinale me mendjen dhe shpirtin e duhur, pa telashe, vetëm me besim. Duke mundur Leçen, para së gjithash. Duke u dhënë më shumë hapësirë atyre linjave të dyta që në Bolonjë – për mendimin tim – bënë një nga ndeshjet më të mira jashtë fushe të vitit në Itali, edhe pse në sulm mbeten shumë mangësi të dukshme strukturore.
Hetimi, debati, procesi i Juventusit po vazhdojnë. Me kohët dhe afatet që ligjet civile dhe sportive japin dhe kanë dhënë gjithmonë (shumë të gjata, për fat të keq). Dhe me 15 pikë më shumë, ose ndoshta disa më pak, beh, të shohim. Drejtësia do të bëjë rrugën e saj. Nuk mund të bëhen arashikime dhe, në përgjithësi, do të ishte më mirë të mos komentohej aq më tepër kur dikush nuk e njeh në mënyrë të përsosur jurisprudencën në lidhje me çështjen apo rastet. Dhe i njeh edhe këto në detaje, gjë që më duket e pamundur. Një gjë, megjithatë… Të thuhet se klubi që për më shumë se një shekull i përket familjes më të fuqishme në Itali, është viktimë apo objekt persekutimesh nga subjekte superiore (ose inferiore), të paktën kjo – të lutem – nuk mund të jetë as realiste dhe as e vërtetë.