
Maurizio Ganz, ‘el segna semper lü’: gol për Milanin që në derbin e parë si ish
I gjithë futbolli italian e kujton me dashuri shumë të madhe, një lojtar në gjendje të lërë gjurmë kudo edhe pa e pasur distinktivin e kampionit. Sot drejton Milanin e femrave, dje ishte një sulmues i aftë për të hyrë në zemrat e tifozëve nëpër tribuna. Sepse kur quhesh Maurizio Ganz, janë me siguri dy gjëra që evokon: gola dhe pasion.
Dhe golat janë të shumtë, plot 198, ashtu si të shumta janë edhe fanellat e skuadrave të veshura në një karrierë që kulmin më të lartë e arriti me dy skuadrat milaneze: Sampdoria, Monza, Parma, Brescia, Atalanta, Venecia, Fiorentina, Ancona, Modena, Lugano dhe Pro Vercelli, derisa arrin të shijojë skenën e madhe të San Siros me Interin dhe Milanin.
Qendërsulmues vdekjeprurës në zonën e penalltisë, i shpejtë në zona të ngushta dhe i pajisur me një ndjenjë pozicioni të jashtëzakonshme: ajo ‘nuhatje për gol’ tipike që e bëri të madh, pavarësisht atletizmit të tij, sigurisht në normë.
Ganz mbërrin fillimisht te Interi në korrik 1995 dhe ndikimi me fanellën nerazurrëve është sigurisht i rëndësishëm për t’u vlerësuar: 15 gola në sezonin e parë, madje 20 në të dytin dhe ai titulli i golashënuesit më të mirë të Kupës Uefa ’96/97, një kompeticion që një vit më vonë Ronaldo dhe shokët e tij do ta fitonin në finalen e famshme në Paris kundër Lazios.
Mirëpo në kryeqytetin francez, Ganz nuk është i pranishëm: sepse gjashtë muaj më parë, në janar ’98, materializohet një transferim që shumë tifozë i bën të debatojnë dhe të rrudhin hundët. ‘El segna semper lü’, siç e patën pagëzuar vetë nerazurrët, vendos të largohet e të veshë fanellën e rivalëve rosonerë në anën tjetër të Naviglio.
“Kam marrë shumë telefonata nga Dr. Galliani dhe Ariedo Braida dhe kështu vendosa të vija të luaja për Milanin teksa isha në autobusin e Interit, një mbrëmje në një darkë Krishtlindjesh. Ishte një zgjedhje perfekte do të thoja, pika e kthesës në karrierën time”.
Fati desh që pak ditë pas transferimit të bujshëm, Ganz të gjendet në fushë kundër ish shokëve të skuadrës. Një derbi që do të mbetet në histori për atë rezultat 5-0 në favor të Djallit, por edhe për golin e parë si ish nga po i njëjti sulmues nga Tolmezzo.
Jemi në çerekfinalen e Kupës së Italisë dhe Capello i befason të gjithë duke e zbritur në fushë pranë Saviçeviçit të sapoardhurin, i cili merr shumë pak kohë për të nënshkruar golin klasik të ishit. Milan dominoi ndeshjen dhe Ganz, i pritur nga tifozët interistë me fërshëllima dhe pankarta të pahijshme, shfryu gjithë zemërimin e tij duke nënshkruar 2-0 me një gjuajtje të saktë nga e majta para golit të fundit dhe duke ekzaltuar poshtë Curva Sud.
“Atë mbrëmje ndjehesha mirë, por edhe çuditshëm sepse i kisha sytë drejt meje të të gjithë ish shokëve të skuadrës së Interit, më shikonin sikur të isha një tradhtar. Ishte një mbrëmje e çuditshme, por e ndjeva se ishte e imja, në fakt përfundoi ashtu siç e dimë të gjithë”.
Vite më vonë, qendërsulmuesi klas ’68 do të shpjegojë arsyen e lamtumirës së tij me Interin, i cili në atë kohë luftonte për kreun e Serie A:
“Te Interi pati mbërritur Ronaldo, unë kisha pak hapësirë dhe i thashë agjentit tim se do të kishte qenë më mirë të gjeja një skuadër tjetër që të mund të luaja. Milani dhe Lecce kishin nevojë për sulmues dhe zgjedhja ime ishte të shkoja te rosonerët. Te Interi pata bëri shumë mirë, 15 gola në sezonin e parë, 20 në të dytin. Prisja një trajtim ndryshe, e kuptova që do të më bënin të luaja si anësor i djathtë për të markuar mbrojtësit e majtë, atë vit më pas erdhi Moriero … hyja në vendin e tij në të djathtë por unë isha qendërsulmues”.
Në realitet, kjo nuk ishte e vetmja ‘tradhti futbollistike’ e Ganz: disa vjet më parë, në fakt, ai pati bërë të diskutohej shumë me transferimin e tij nga Brescia te Atalanta në verën e ’92, dy klube historikisht të ndara nga një rivalitet i ashpër. Me fanellën e Dea-s, ndër të tjera, ai grumbulloi numrin më të madh të paraqitjeve (114) dhe golave (49) në tre vjet, para kapërcimit të madh te Interi e më pas Milani.
Një karrierë e jetuar gjithmonë ‘me njëqind në orë’, mes golave të rëndë, polemikave dhe transferimeve helmuese: midis viteve ’90 dhe viteve të para të mijëvjeçarit të ri Maurizio Ganz arriti të lërë gjurmë. Në mënyrën e tij, me atë adrenalinën tipike të atyre që përjetojnë futbollin e përbërë nga emocione.