
Leao feston për golin, Spalletti e sulmon dhe Maldini mbron Leaon. Spalleti për Maldinin: “Nuk më pëlqeu. Reagoi keq”. Maldini…
Milani e poshtëroi Napolin, duke fituar me rezultatin e pastër 4 me 0. Protagonist absolut Rafael Leao, autor i një dygolëshi dhe i një loje perfekte.
Por portugezi përfundoi nën lupë edhe për atë që ndodhi në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes, ku u ndalua nga Luciano Spalletti i cili i tërhoqi vëmendjen për ngazëllimin pas golit të parë. Kështu që u desh ndërhyrja e Paolo Maldinit në ‘mbrojtje’ të lojtarit të tij.
Por ankesat e Spalletit nuk përfunduan me kaq. Për mikrofonat e DAZN, trajneri i Napolit u përpoq të shpjegonte sipas tij atë që ndodhi në tunel: “Po pyesja arbitrin për kartonin ndaj Lobotkës. Pali kaloi duke thënë ‘ti gjithmonë ankohesh’ kur në realitet janë ata që janë ankuar gjithmonë. Më foli nga lart dhe nuk më pëlqeu, ia thashë dhe ai reagoi pak keq”. Sipas Spalletit Maldini i ka thënë: “Mister, je nervoz. Por titullin e ke të fituar. Çfarë k*rin do?!”
Këtyre deklaratave të Spalletit ende nuk i kanë ardhur përgjigjet nga Maldini, i cili mesa duket thjesht e ka lënë të kalojë rastin, duke e konsideruar fare të parëndësishëm. Ndoshta sot do të kemi përgjigjet e tij.