Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

I fortë, i shpejtë dhe do të sillte eksperiencë: Milan, ja kush është Kyle Walker

Sipas të rejave të fundit të merkatos, Milani është në gjurmët e Kyle Walker: ta njohim më mirë lojtarin e Manchester City

Kemi disa ditë që ju kemi treguar tashmë se me Milanin është afruar edhe emri i anglezit Kyle Walker, futbollist i Manchester Cityt. Do të ishte një blerje e rëndësishme pasi ai është një futbollist me përvojë dhe me cilësi të mëdha. Por, le të shohim më nga afër se çfarë avantazhesh do të sillte ai në rast të një transferimi te rosonerët dhe cilat janë karakteristikat e lojtarit.

Walker, karriera e tij

I rritur në Sheffield United, Walker ka veshur edhe fanellën e Northampton Town përpara se të transferohej te Tottenham më 2009. Para se të tregonte veten me fanellën e ‘Spurs’ave, u huazua te Sheffield, QPR dhe Aston Villa. Do të fitonte një hapësirë të rëndësishme te Tottenham duke filluar nga sezoni 2011-2012, duke u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Pas 229 paraqitjesh me fanellën e ‘Spurs’, në verën e 2017 u ble nga Manchester City për rreth 55 milionë euro.

Karakteristikat teknike

Kyle Walker është një mbrojtës i djathtë që mund të adaptohet edhe si qendërmbrojtës dhe anësor i djathtë në mesfushë. Ka shpejtësi të madhe, forcë të mirë fizike dhe është i zoti në krosime dhe në lojën në ajër. Klas 1990, ai do të sillte te Milan atë pak eksperiencë shtesë që ndoshta do t’i duhej skuadrës së Piolit, edhe pse duhet thënë se rosonerët tashmë i kanë dy lojtarë gati për rolin e mbrojtësit të djathtë dhe që e njohin shumë mirë ambjentin si Davide Calabria dhe Alessandro Florenzi.

Çmimi i kartonit dhe paga

Duke patur parasysh moshën e lojtarit dhe kohën në rënie të lojës me City, çmimi i kartonit të Walker është shumë më i ulët se shuma e shpenzuar nga klubi i Mançesterit për ta blerë nga Tottenham. Në skadencë më 2024, mund të jetë një aferë e madhe për këdo, jo vetëm për Milanin. Megjithatë, do të duhet të bëhen llogaritë me pagën, pasi te Manchester City, mbrojtësi anglez fiton pak më shumë se 8 milionë paund, ose rreth 9 milionë euro.

You might also like