
Gerry Cardinale, ish-rosoneri sulmon: “Nuk po shpenzon asnjë cent, Maldini po bën mrekulli”
Gerry Cardinale ka deklaruar vazhdimisht se ka plane të mëdha për të ardhmen e Milanit. Objektivi është rikthimi në majat e futbollit europian dhe për këtë është duke u angazhuar personalisht në projektin e stadiumit, vendimtar për uljen e diferencës nga top klubet e sotme.
Është thelbësore të rriten të ardhurat e klubit rosoner, që gjatë viteve të fundit është rritur falë kualifikimit në Champions League dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të mira tregtare. Por e gjithë kjo nuk mjafton për t’u kthyer në çatinë e Evropës. Për të pasur një marzh më të madh investimi, është jetike të rriten të ardhurat, në mënyrë që të jemi më konkurrues edhe në merkato. Sot ka shumë diferencë në krahasim me skuadrat më të mira evropiane.
Bobo Vieri kundër RedBird
Cardinale e ka pranuar se, me ardhjen e RedBird Capital Partners, linja e Milanit mbetet ajo e nisur qysh me pronësinë e mëparshme të Elliott. Pa shumë shpenzime, me vëmendje ndaj buxhetit dhe optimizim të burimeve.
Por ka nga ata që bëjnë thirrje për më shumë investime nga pronarët e rinj të klubit rosonerë. Ka shumë tifozë që shpresojnë për përpjekje më të madhe ekonomike në të ardhmen. Ndër ta është edhe Christian Vieri që do të donte të shihte diçka më shumë.
I intervistuar nga Corriere della Sera, ish-sulmuesi i Milanit, Juventusit dhe Interit ka bërë këto deklarata për këtë temë: “Rosonerët kanë dy fenomene si Maldini dhe Massara, por pronësia duhet të dalë, thjesht të mos fshihet. Milani nuk po shpenzon asgjë dhe drejtuesit me Piolin po bëjnë mrekulli. Tani duhen sqaruar objektivat”.
Milan, politika e Gerry Cardinale nuk do të ndryshojë
Vieri është i bindur se RedBird duhet të investojë më shumë para te Milani, por është e vështirë të mendohet se do të ketë ndryshime të politikës. Objektivi është të kihen llogaritë në rregull dhe të arrihet një buxhet i balancuar, edhe për shkak se klubi ka nënshkruar marrëveshje me UEFA-n dhe nuk mund të bëjë shpenzime “të çmendura”.
Sigurisht tifozët prisnin një tjetër merkato pas fitores së Skudetos. Mbetet për t’u parë nëse sesioni i ardhshëm veror do të na dhurojë më shumë kënaqësi. E sigurt është se kualifikimi për në Champions League e ardhshme është një faktor themelor për të çuar përpara projektin.
Skuadra e Stefano Piolit zë sot vendin e katërt në renditjen e Serie A dhe mbyllja në këtë pozicion është objektivi minimal. Fatkeqësisht, rosonerët po zhvillojnë një kampionat shumë të luhatshëm dhe rreziku për mos ta arritur është real. Duhet ndërruar marshi tani, pas ndërprerjes prej kombëtareve që sapo kaluam. Të dielën shkojmë në Napoli kundër kryesuesve të kampionatit dhe do të duhet të bëjmë një paraqitje të madhe për të fituar.