Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Franco BAREZI – I lirë për të ëndërruar

Nuk ka pasur kurrë, asnjë lojtar tjetër që e ka kuptuar aq mirë fizikisht hapësirën. Do më pëlqentë vërtetë, në realizimin e filmave të mi, të isha dikush që mund të kuptojë zemrën e njeriut dhe hapësirat si Amazona, ashtu siç Baresi ka kuptuar lojën. WERNER HERZOG

Para fillimit

Si djalë nuk do të kisha mundur ta imagjinoja dhomën e pritjes së një aeroporti. Sot mund të them se i kam parë në të gjithë botën: në Kanada, Algjeri, Mongoli, Japoni, në aeroporte të mëdha dhe moderne apo të vogla dhe të mirëorganizuara. Më duken të gjitha kaq anonime, me ato rreshta të rregullt karrigesh përballë ekraneve që centrifugojnë numra, fluturime, destinacione dhe për këtë janë të gjitha të ngjashme. Ndoshta, sepse presin në të njëjtën mënyrë shpresat dhe frikërat e atyre që udhëtojnë për punë ose për argëtim, për të përqafuar një person, ndoshta për herë të fundit, kë ka fituar një Kupë Kampionësh apo humbur një Botëror.

Ai i Benito Juárez në Mexico City është si gjithë të tjerët: pranë meje një grua elegante që po lexon një libër; dy zotërinj që pijnë birrë, duke folur të lodhur në një gjuhë që nuk e njoh; një vajzë që punon në kompjuter. Kush janë? Ku po shkojnë? Cila është historia e tyre? I kanë arritur objektivat e tyre? Apo po luftojnë për t’i realizuar? Janë aty ku kanë dashur gjithmonë të jenë apo ngjarjet e jetës i kanë çuar në drejtime që nuk i kishin imagjinuar kurrë? Po unë? Ku kam arritur?

Sot në mëngjes në Pachuca, në Universidad del Futbol y Ciencias del Deporte, më prezantuan me studentët si atletin që ka realizuar një nga bëmat më të jashtëzakonshme në historinë e futbollit. Treguan për Botërorin në Shtetet e Bashkuara të 1994-ës. Folën për gjurin tim, për ëndrrat dhe forcën e vullnetit.

Teksa dëgjoja ato fjalë, më dukej se po flisnin për dikë tjetër, ndoshta sepse nuk kam menduar kurrë për veten dhe atë që kam bërë në atë mënyrë. Një sipërmarrje? Unë atë penallti e humba. Një kampion? Unë atë finale e humba.

Në avion vazhdoj të reflektoj për atë takim. Nuk besoj se ka ndonjë formulë magjike për të patur sukses. Talenti? Fati? Takimi me njerëzit e duhur në kohën e duhur? Mes shumë dyshimesh, mund të them se kam një siguri: shumë vite pas tërheqjes sime, kam mësuar se diferenca midis fitores dhe humbjes nuk qëndron në ngritjen apo jo të një kupe. Është diçka më e thellë, që nuk varet nga ëndrra në vetëvete, por nga mënyra se si përpiqesh ta realizosh.

Me mendje rikthehem fëmijë, aty ku filloi gjithçka. Ndoshta diçka ndryshon mes fushave të improvizuara të fshatit dhe stadiumeve më të mira në botë, por unë kam mbetur gjithmonë i njëjti. Unë jam Franko Barezi. Dhe kam lindur kështu: i lirë…


Hyrja e librit të legjendës milaniste Franko Barezi – Libero di sognare – I lirë për të ëndërruar

Përkthim ekskluziv

nga Dardan MITROVICA

për milanistat.net

(Shpresojmë të vijojmë së shpejti me pjesë të tjera shumë interesante të librit)

You might also like