Milanistat, emocionet kuqezi

Forca Milan, do jetë skudeto më e bukur

113
News

Mbështetja e milanistve të mëdhenj, kampionë të padiskutueshëm për Milanin e Piolit, drejt skudetos/ Nga Collovati te Cafu, një ‘juri’ shumë speciale përzgjedh titullin më surprizues të rosonerëve. Dhe Pioli mund të bëjë kryeveprën

Kanë qenë protagonistët e një Milan fitues, ata e dinë se sa e vështirë është t’i lësh të gjithë pas. Megjithatë, kurrë nuk kanë parë një Djall të fitojë një tringjyrësh të tillë. Flasin tetë ish lojtarë të mëdhenj, kampionë dhe japin mendimin e tyre për triumfin e mundshëm të Milanit. Collovati, e ka fituar yllin më 1979, brazilianët Cafu dhe Serginho i dhanë krahë skudetos 2004, ndërsa Galli ka fituar plot 5, duke nisur nga ai i rilindjes më 1987-88. Oddo që ka fituar atë më të fundit, Zaccheroni më të papriturin. Deri më tani: sepse suksesi në këtë kampionat do t’i mundte të gjithë. Për ish rosonerët kjo, në fakt, është një surprizë… prej Djalli: e paparashikueshme në fillim të sezonit, e papritur për vlerën teknike të grupit. Por pikërisht për këtë i stërmerituar.


1. Cafu: “Çfarë mrekullie! Dhe Theo që kujton pikërisht… Cafu “

 “Nëse konsiderojmë nga ku u nis, me çfarë elementësh dhe me çfarë kundërshtarësh, duhet me patjetër të themi se ky, për Milanin, do të ishte Skudeto më i bukur. Do të ishte një sukses i ndërtuar në kohë, ditë pas dite, stërvitje pas stërvitjeje. Pioli ka ditur të punojë me grupin, me lojtarët, i bëri të përmirësonin rendimentin e tyre dhe u fshehu me entuziazëm ndonjë boshllëk të pashmangshëm. Ka qenë pak psikolog, pak familjar, por mbi të gjitha është treguar një trajner i madh, prandaj e meriton të jetë ndër trajnerët fitues në pankinën e këtij klubi të madh. Kur shikoj një ndeshje të Milanit, ndihem i gëzuar, zbavitem: sulmojnë, luftojnë, por nuk dorëzohen kurrë. Janë një ekip i bukur për t’u parë, me shumë zgjidhje sulmuese dhe një mbrojtës anësor, Theo Hernandez, i cili shtyn shumë në krahun e tij, ashtu siç do të kishte bërë… Cafu. A e kuptoni mrekullinë që po bëjnë? Kanë vunë pas Interin, kampionët në fuqi, Napolin, Juventusin, Romën… Ky sukses, me shpresën se do të vijë, do të ishte një kryevepër, nuk gjej fjalë të tjera”.


2. Serginho: “E jashtëzakonshme. Grupi u rrit shumë shpejt”

 “Duhet të jem i ndershëm: kur Milani i Piolit filloi rrugëtimin e tij, prisja ta shihja fitues pas të paktën 4-5 vitesh maturim. Mirëpo ky grup i dogji etapat dhe na la të gjithëve me gojë hapur: nëse të dielën bëhet kampion do të jetë një arritje e jashtëzakonshme. Askush nuk priste që ta shihte Milanin në krye deri në fund, sepse kishte skuadra më të strukturuara e me më shumë zakon për të fituar, si Interi dhe Juve: shumë mendonin se Pioli kishte një ekip për vend të tretë-katërt. Ndërsa rosonerët janë rritur dhe kanë fituar në një kohë të shkurtër ato cilësi që fitohen në vite eksperiencë: ishte shumë bukur të shihje këtë evolucion, edhe sepse kemi të bëjmë me një projekt i ri, krejtësisht të ndryshëm nga ai i Milanit në të kaluarën. Klubi që dikur blinte vetëm lojtarë të gatshëm për të veshur atë fanellë, në tre vitet e fundit ka vendosur të investojë tek të rinjtë dhe projekti ka dhënë rezultat. Paolo Maldini, Ricky Massara dhe i gjithë rrjeti scouting kanë bërë një punë të shkëlqyer: meritojnë një duartrokitje speciale. Nëse Milani fiton titullin, do të mbërrijnë pas një udhëtimi shumë të vështirë, në të cilin edhe faktori Covid ka pasur një peshë krejt tjetër nga dytësore: ata që mendojnë se lockdowni dhe stadiumet bosh kanë ndihmuar Piolin dhe ekipin e tij të maturohen në të kaluarën, janë jashtë rruge, sepse një lojtar i ri e kupton vërtet se çfarë do të thotë të luash tek Milani vetëm kur shijon atmosferën e një San Siro të mbushur plot, kur del në fushë me presionin për të fituar me çdo kusht. Ja, djemtë nën 25 vjeç si Tonali, Leao, Theo dhe Kalulu po përjetojnë vërtet atë që do të thotë të jesh Milan këtë sezon dhe janë gati të fitojnë. A ka ndonjë gjë më emocionuese?”


3. Fulvio Collovati: “Çfarë analogjie me vitin e yllit”

 “Kjo skudeto do të ishte padyshim ndër më të bukurat ndonjëherë, për dy arsye: sepse ishte e papritur dhe sepse u mor nga një prej grupeve më të bashkuar të të gjitha kohërave. Në këtë kuptim, konstatoj se ka ngjashmëri me fitoren e Italisë së Mancinit në Evropianin e fundit, por edhe mbi të gjitha me skudeton e yllit të 1978-79, atë që fitova unë me fanellën rosonere. Edhe atëherë kishte shumë të rinj në skuadër – unë isha 22 vjeç, Barezi 19, Maldera 25 dhe shënova 9 gola pavarësisht se isha mbrojtës krahu, pak si Hernandez në Milanin aktual – të drejtuar nga tre senatorë të mëdhenj, Rivera, Albertosi. dhe Bigon ashtu si Ibra, Giroud dhe Kjaer, sot: një përzierje e jashtëzakonshme eksperience dhe freskie që i afron dy skuadrat. Në atë Milan nuk kishte ndonjë bomber me plot kuptimin e fjalës, por shënuam të gjithë dhe e njëjta gjë ndodhi me atë të Piolit. Së fundi, edhe atëherë skudeto mungonte prej njëmbëdhjetë vjetësh. Milani i yllit ishte një ekip i organizuar dhe luftarak, që nuk u dorëzua kurrë: kur shoh Tonalin me shokë në fushë duke luajtur, rishoh të njëjtin shpirt. Për Liedholmin ishte titulli i parë si trajner: do të ishte edhe për Piolin, i cili më në fund do të shpërblehej për aftësitë e tij. Sigurisht, nëse do të bëhet kampion i Italisë, Milani 2021-2022 do ta bëjë këtë pas një kokë më kokë deri në ditën e fundit me Interin: nuk ndodh çdo ditë të fitosh një skudeto në këtë mënyrë… Ka pak për t’i ardhur qark: nëse do të jetë skudeto, Milani i Piolit do të ketë një vend në podiumin tim personal”.


4. Massimo Oddo: “Një shpërblim për durimin dhe punën”

 “Do të ishte vërtet një skudeto shumë e bukur, një çmim i merituar pas punës së shkëlqyer të bërë nga klubi. E them këtë sepse besoj se do të ishte një sukses fryt i programimit të klubit. Pasojë e pritjes, e durimit që patën, e ndërtimit dhe mjeshtërisë që të gjithë komponentët kanë treguar se kanë në këtë drejtim. Me ardhjen e Piolit në stol, është ndërtuar diçka vërtet e rëndësishme, solide dhe e qëndrueshme. Deri para pak kohësh Milani nuk ishte as favorit për fitoren e titullit, sot dukshm po, por e përsëris është rezultat i ndërtimit dhe punës që është bërë deri tani, javë pas jave. Meritë që duhet t’i njihet të gjithë komponentëve, me një duartrokitje të vërtetë për klubin, trajnerin dhe lojtarët”.


5. Filippo Galli: “Është suksesi i një ekipi të përulur dhe këmbëngulës”

 “Nëse bukuria qëndron te pasiguria, do të thoja që ky kampionat, nëse do të vijë, do të jetë më i bukuri. Edhe ai i fituar nga Milani i Zaccheronit më 1998-99 u luftua dhe u fitua ditën e fundit, por në atë rast vlerat teknike ishin të ndryshme: ishin Bierhoff, Weah, Leonardo, Boban, Maldini, Costacurta, Albertini. Ndërsa këtu, rosonerët e nisën pa kampionë të mëdhenj, përveç Ibrahimovicit që është dyzet vjeç. Pikërisht për këtë arësye sipërmarrja duhet të nënvizohet me duartrokitje të gjata dhe për këtë arsye njerëzit do ta ndjenin këtë skudeto si më të bukurin ndonjëherë. I bukur sepse ka qenë i papritur, si një dhuratë e ardhur kur askush nuk e imagjinonte. Do të ishte fitorja e një grupi që u tregua i bashkuar, i përulur në përballjen e vështirësive, këmbëngulës në ndjekjen e ëndrrës”.


6. Hernan Crespo: “Golët e Giroud kundër Interit, kyçi i gjithçkaje”

 “Nuk është një skudeto e bukur, nëse arrin: është shumë e bukur. Po, më i bukuri ndonjëherë sepse ishte e papritur, sepse askush nuk do të vinte bast një euro për të në fillim të sezonit. Por më madhështor e bën mënyra se si u menaxhua i gjithë kampionati, mes një mijë vështirësive dhe një mijë të papriturash. Megjithatë, kurrë Milani i Piolit nuk u rrëzua kurrë pa u ringritur, ka patur gjithmonë forcën për t’u ringritur në këmbë dhe për të vazhdonin garën. Madke, nëse kthehemi pas dhe rishikojmë boshllëqet në renditje gjatë fazave të ndryshme të kampionatit, kuptojmë se Milani mund të kishte mundur edhe t’i mbyllte hesapet më herët, sepse shkoi deri në shtatë pikë përpara Interit. Nëse nuk ndodhi, është sepse skuadra e Inzaghit ishte një rival shumë i vështirë për t’u eliminuar, dhe edhe rosonerët mbeten një grup shumë i ri, jo gjithmonë gati për të administruar siç bëjnë skuadrat e mësuara për të ngritur trofe. Ka patur dëmtime, humbje ndaj skuadrave të mesme, probleme nga më të ndryshmet, por Milani ka reaguar në çdo moment dhe këtu, nëse duam të flasim për nivelin estetik, qëndron bukuria e këtij grupi që sigurisht nuk ishte më i forti. Fitorja me revansh në derbin e kthimit, me dygolëshin e Giroud si një qendërsulmues i modës së vjetër, dhuroi një rilançim themelor për të besuar deri në fund. Dhe, me klasifikimin në dorë, mund të vendosë edhe finalen e këtij kampionati kaq emocionues”.


7. Christian Panucci: “Kam parë shpirtin e vërtetë të Djallit”

 “Uroj me gjithë zemër që Milani të arrijë objektivin final: një objektiv që do ta konsideroja një kryevepër të vërtetë. Një sipërmarrje e një niveli shumë të lartë nga të gjithë komponentët: klubi, lojtarët, trajneri dhe stafi teknik. Interi kishte një organikë shumë më solide dhe më të strukturuar, Milani duhet t’i njihet merita e madhe për të arritur atje ku ka arritur. Falë punës së përditshme, ka treguar që nuk komandon gjithmonë kush është më i fortë. Është rikrijuar ajo frymë që edhe unë e njoh shumë mirë: Milani është unik për vlerat që di të transmetojë, për ndjenjën e përgjegjësisë dhe respektimin e rregullave. Në Milanello e kupton menjëherë kontekstin në të cilin ndodhesh, çfarë do të thotë të përfaqësosh dhe veshësh fanellën rosonere. E gjithë kjo u bë sërish e mundur falë punës së Piolit. Milani i tij jo gjithmonë ja ka kaluar mirë, përkundrazi: shpesh është zhytur në vështirësi, por Stefano ka qenë shumë i mirë çdo herë për ta ringritur dhe rinisur. Dhe komplimente të mëdha natyrisht për Paolo Maldinin: ka studiuar për të hyrë në rol, është një person me inteligjencë përtej të zakonshmes, që padyshim di gjithçka për futbollin. Do të më jepte jashtëzakonisht kënaqësi ta shihja të triumfonte dhe kjo vlen edhe për Massarën, është një drejtues shumë kompetent. Ata janë prova se futboll duhet të bëjnë ata që dijnë të bëjnë futboll: fatkeqësisht nuk është gjithmonë kështu”.


8. Alberto Zaccheroni: “Është vetëm fillimi. Ndërsa unë, kisha mbyllur një cikël”

“Do të ishte një skudeto vërtetë e papritur. Dhe sa më e papritur të jetë në fillim të sezonit, aq më e bukur dhe emocionuese do të jetë në fund, plot me domethënie për të gjithë protagonistët. Nëse gjithçka shkon mirë të dielën në Reggio Emilia, do të jetë kurorëzimi perfekt i një kampionati të përjetuar gjithmonë në krye, por Milani do të merrte ende shumë duartrokitje për punën që arriti të bëjë gjatë gjithë sezonit. Duhet t’i njihen merita të mëdha pavarësisht ditës së fundit. Skuadra është rritur në mënyrë eksponenciale dhe i ka tërhequr tifozët, duke krijuar një entuziazëm spektakolar. San Siro, veçanërisht javët e fundit, ka patur një ambjent të çmendur. Pioli ka qenë shumë i mirë në bërjen e lojës së Milanit gjithnjë e më të paparashikueshme, e modifikoi atë për të rritur pikat e forta të grupit të tij dhe sigurisht që ia arriti qëllimit: pavarësisht gjithçkaje ka qenë arkitekti i një sezoni të mrekullueshëm. Fitimi i titullit do të ishte finalja perfekte e asaj që tashmë është bërë, një punë që mendoj se është vërtet e jashtëzakonshme. Milani, nga trajneri, te lojtarët dhe klubi, meriton duartrokitje në skena të hapura. Është skuadra që kam ndjekur më shumë dhe më ka dhuruar më shumë emocione, një ekip i ri që ka përpara një të ardhme të rëndësishme: me këto lojtarë do të mund të niset një rrugëtim i gjatë, një rrugë që shpresoj të jetë plot suksese. Në këtë do të ishte një fitore ndryshe nga e imja, me mua kishte shumë lojtarë në fund të ciklit që vinin pas disa sezoneve zhgënjyese: atëherë duhej të rimotivoheshin, lojtarët e sotëm absolutisht jo. Janë të rinj dhe të hareshëm, kanë qëndrimin e duhur, më pëlqejnë. Historia e Milanit është e mbushur me suksese, por historia është bërë edhe për t’u rishkruar dhe përditësuar..”.


Të gjitha imazhet dhe videot janë të mbrojtura nga e drejta e autorit për pronarët e tyre përkatës

Ju mund të pëlqeni edhe