Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

E tashmja dhe e ardhmja, sinjali i madh i Leaos. Milan, lëvizje fituese. Luftë, nga tani deri në fund

Në Champions League do të jetë tjetër gjë, por ndërkohë është e drejtë të lëvdojmë Milanin për fitoren e madhe në Napoli. Para ndeshjes, shumë prej tyre i jepnin tashmë rosonerët si të mbaruar përballë një skuadre që do të fitonte titullin me meritë, por të dielën në mbrëmje ata u asgjësuan nga banda e Stefano Piolit. Katër gola në shtëpinë e këtij Napoli vlejnë shumë, sukses që la lançuar një mesazh të qartë: nëse Milani luan prej Milani do të jetë e komplikuar për këdo.

Fatkeqësisht versionin e bukur të rosonerëve këtë vit e kemi parë vetëm disa herë, prandaj 4-0 në Maradona duhet parë si një pikënisje, një kthesë për pjesën tjetër të sezonit. Tani duhet të nisë lufta e vërtetë (ajo sportive flasim), lojtarët do të duhet të zbresin në fushë të këqinj dhe të përqendruar për dhjetë ndeshjet e mbetura të kampionatit, përndryshe ajo që pamë në Napoli nuk do të shërbejë për asgjë.

Pas më shumë se dy muajsh u zgjua nga letargjia e gjatë edhe Rafael Leao. Zgjodhi ndeshjen e duhur për të shënuar sërish dhe dygolëshi ishte vërtetë spektakolar. Dy rrjeta për të tashmen dhe për të ardhmen. Për të tashmen, po. Për të ardhmen, pse? Kryesisht sepse rigjetja sërish e lojtarit më të talentuar është një lajm i mirë për Piolin dhe për të gjithë Milanin. Kujtojmë se pavarësisht dy muajsh ndërprerje, Rafa është një gol larg rekordit të tij të shënuar vjet (11). E lëre pastaj nëse do të kishte qenë i vazhdueshëm edhe gjëtë javëve midis shkurt-marsit. E vërteta është se lojtari është shumë i fortë dhe dygolëshi padyshim që duhet ta bëjë të zhbllokohet mendërisht. Tani duhet të jetë më i bindur se kurrë për mundësitë e tij.

Ndërkohë, është edhe një sinjal për të ardhmen sepse Rafa në gjithçka që bën tregon se e ka në zemër Milanin. Përkushtimi ndaj grupit dhe trajnerit për të kapërcyer momentin negativ është i dukshëm. Këngët dhe vallet bashkë me Curva Sud në Maradona Stadium me emrin e tij janë shenja të tjera të një lidhjeje të thellë me tifozët. Të gjitha këtyre, iu shtojmë se Leao nuk ka thënë kurrë se dëshiron të largohet nga Milani. Ka indikacione pozitive për rinovimin e tij. Optimizmi ka të bëjë me faktin se në fund mund të gjendet një marrëveshje për ta mbajtur. Nuk është vetëm çështje page, ka edhe më shumë që duhet zgjidhur. Por Rafa vazhdimisht lëshon sinjale: dëshiron të qëndrojë te Milani.

Fitorja në Napoli është rezultat i zgjedhjeve të sakta të mister Pioli, i cili edhe një herë ka mundur të gjejë çelësin për të dalë nga një moment i keq. Ndeshja e fundit para ndërprerjes së kampionatit ishte e tmerrshme, një zhgënjim edhe për vetë Piolin. Ndërsa Milani që pamë në Napoli ishte i mrekullueshëm, një kënaqësi e vërtetë për sytë. E pra, cili është Milani i vërtetë? Pyetje e ligjshme. Por nëse 4-2-3-1 me një mesfushor të shtuar ka çuar gjithmonë në rezultate të mira, atëherë ia vlen të provosh me këtë rreshtim deri në fund kampionatin. Zhvendosja e Leaos më majtas, ajo e Kruniçit më përpara dhe Brahimit më djathtas ishin vendimtare, ashtu si dhe rikthimi i prapavijës në rreshtimin me katër. Pastaj, përtej moduleve, ka gjithmonë një gjë që bën diferencën: mënyra se si zbritet në fushë. Egërsia sportive dhe bindja, ritmi i lartë dhe intensiteti. Pa këta elementë mund të provohen të gjitha skemat në botë por nuk fitohet.

You might also like