
Do të ikë klubi për në kombëtare: njoftimi për trajnerin do të bëhet që në maj
Bëri historinë e Milanit dhe ka nga ata që së fundmi janë rikthyer ta lidhin emrin e tij me pankinën rosonere. Megjithatë, duket vërtet e vështirë ta shohësh sërish te rosonerët.
Po flasim qartësisisht për Carlo Ancelottin i cili me Djallin ka fituar me të vërtetë gjithçka. Siç thamë, duket e komplikuar që të mund të rikthehet në Milanello, sepse të bësh më mirë se sa ka bërë është praktikisht e pamundur. Sot Ancelotti është në krye të Real Madridit: kampionati tashmë i ka ikur nga duart. Pas humbjes në el Classico, blancos kanë rënë në -12 pikë ndaj Barcelonës. Megjithatë, Champions League është ende një objektiv i mundshëm.
Vështirë të kuptohet se çfarë do të bëhet me të ardhmen e trajnerit italian. Emri i Ancelottit është, tashmë, prej muajsh i afruar me kombëtaren braziliane. Të shtunën, verdeorot humbën kundër Marokut. Një ndeshje që konfirmoi se nevojitet një drejtim i ri, sa më shpejt të jetë e mundur. Objektivi i amerikanojugorëve është ta shpallin drejtuesin teknik në mes të majit, por deri më tani – siç raportohet nga Reuters – nuk ka pasur ende ndonjë kontakt midis Brazilit dhe Ancelottit.
Më të fundit nga Brazili
Presidenti i Federatës braziliane të futbollit, Ednaldo Rodrigues, duke folur pikërisht për Reuters, e ka pranuar interesimin për trajnerin italian: “Ancelotti do të ishte një zgjedhje e padyshimtë, ai gëzon unanimitet jo vetëm mes lojtarëve, por edhe mes tifozëve. Ancelotti respektohet nga të gjithë lojtarët, të të kaluarës dhe të tashmes. Jo vetëm nga Ronaldo Nazario apo Vinicius Junior, por nga të gjithë ata që kanë luajtur për të. Ka gjithë admirimin tim për ndershmërinë dhe cilësinë që aplikon vazhdimisht në punën e tij, nuk ka nevojë për ndonjë lloj të veçantë prezantimi. Është me të vërtetë një top trajner që ka fituar shumë dhe shpresoj që të mund të vazhdojë të fitojë shumë”.
Po, për Carlo Ancelottin
“Ancelotti nuk është vetëm kandidati i preferuar i lojtarëve, por edhe i tifozëve – vazhdon Rodrigues –. Kudo që shkoj në Brazil, në çdo stadium, është emri i parë për të cilin më pyesin tifozët. Flasin me shumë dashuri për të, e vlerësojnë punën shembullore që ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij. Duhet të kemi besim te Zoti, të presim momentin e duhur dhe të shohim nëse do ta bëjmë, pasi jemi në kërkim të një trajneri të ri për kombëtaren”.