Milanistat, emocionet kuqezi

Barezi: Tonali mishëron shpirtin milanist. Skudeto? Është gjithçka në duart tona

News

Pas fitores shumë të rëndësishme në Verona e cila e afroi Milanin edhe më pranë ëndrrës skudeto, njeriu kopertinë i rosonerëve është sigurisht Sandro Tonali, autor i një dygolëshi. Lidhja me ngjyrat rosonere të mesfushorit të ri është mbresëlënëse dhe për këtë ka dashur të flasë edhe Franco Baresin, flamuri i madh Djallit: Për të përditshmen Repubblika ai ka thënë se “Sandro ka treguar sigurisht një ndjenjë të madhe përkatësie dhe po e konfirmon ndeshje pas ndeshjeje, përtej të ardhmes, që nuk mund të parashikohet kurrë”, thotë ish kapiteni legjendar i Milanit.

SHPIRTI MILANIST

Sezoni i parë me rosonerët nuk ishte i lehtë, por këtë vit pati një kapërcim në cilësi: “Pas disa përpjekjesh sezonin e parë, deshi të qëndronte. Tregoi afëri, pati vendosmëri, dëshirë për të vënë në diskutim, kurajo. Dhe pak nga pak hyri në zemrën e skuadrës, deri në mishërimin e plotë të shpirtit milanist. Shpirti milanist është tërësia e cilësive futbollistike dhe karakteriale që i kanë mundësuar të meritojë elozhet që po merr përmes paraqitjeve të tij në fushë dhe aftësisë për t’u bërë i dashur nga shokët dhe nga njerëzit. Fati deshi ta shpërblente: ajo në Verona ishte një mbrëmje shumë e rëndësishme për të dhe për sezonin e ekipit”.

KRAHASIME

Tonali është krahasuar me disa ish mesfushorë të mëdhenj si Gattuso, Pirlo dhe De Rossi, por Baresi mendon ndryshe: “Për mua, Tonali është Tonali, një futbollist modern. Arrin të bëjë me lehtësi dhe me personalitet mesfushorin e ulët dhe gjysmë-anësorin, ka prirjen për të ndërhyrë dhe po mëson të luajë në më shumë pozicione të mesfushës. Është e vështirë të bësh krahasime me të kaluarën. Esenciale është që të qëndrojë i përulur dhe i ekuilibruar. Duhet të mendojë për vetveten dhe cilësitë e tij. Ai e di, është i ri dhe mund të rritet shumë”. Ndërsa për të ardhmen e Tonalit, Baresi shpjegoi: “Duhet të jetë i qetë dhe i kënaqur me vetveten dhe të dijë se mund të rritet me Milanin dhe për Milanin. Se sa shumë ka dashur të luante me këtë fanellë, në fund të fundit, e ka treguar gjithnjë, që kur ishte fëmijë”.

GARA SKUDETO

Së fundi, nuk mund të mungonte një pyetje për garën skudeto: “Qetësi, mungojnë edhe dy ndeshje, edhe pse fitoret jashtë fushe kundër Lacios dhe Veronës ishin një sinjal i fortë. Megjithatë, le të themi, se gjithçka është në dorën tonë. Dhe se këtë e meritonim”.


Të gjitha imazhet dhe videot janë të mbrojtura nga e drejta e autorit për pronarët e tyre përkatës

Ju mund të pëlqeni edhe