Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Barezi: “Milani, familja ime e dytë… Më kujtohet Maradona kur…”

Franco Baresi, ish-kapiteni i Milanit dhe sot zëvendës president nderi i klubit rosoner, ka një intervistë ekskluzive për ‘Corriere della Sera’ të ditës së sotme. Ja deklaratat më të rëndësishme të ‘Kaiser Franz’.

Milan, Baresi rrëfehet në ‘CorSera’:

Mbi vlerësimin e regjisorit Werner Herzog: “U habita shumë. Ai nuk është një njeri që merret me sport për punë. Që të dijë se kush është Franko Baresi, edhe pse, sigurisht, më ka mbushur me gëzim. U njohëm dhe folëm gjatë”.

Baresi mbi qenien një legjendë e Milanit: “Çfarë fjalësh të mëdha. Jam vetëm një që kam lindur më 1960 në Travagliato, në rrethinat breshane dhe që kam pasur fatin të ndihem “i lirë të ëndërroj”. E në fakt pikërisht këtë titull kam dashur t’i jap edhe autobiografisë sime, të shkruar së bashku me Federico Tavola. Kam qenë me fat që dëgjoja ëndrrat e mia. Dhe që kam gjetur në rrugën time njerëz që do të më mësonin t’i dëgjoja “.

Mbi faktin se sa hapësirë për ëndrra kishte në familjen e saj modeste: “Dhe nuk e kam fjalën për ‘priftin’, pra për atë lloj vegle druri mbi të cilën ishte vendosur një legen plot prush për të ngrohur shtratin e ftohtë. Vërtetë, nuk ishte e lehtë të ëndërroje për një fëmijë të lindur në një familje fshatare dhe të rritur në një shtëpizë, mes lopëve dhe traktorëve. Por mamaja ime Regina ishte një grua që kujdesej me përpikëri për pastërtinë dhe rregullin e ne fëmijëve”.

Për të vëllanë, Giuseppe Baresi, i dashur por rival në derbin me Interin: “Ai mbërriti në Milano, te Interi, para meje dhe kur më mori Milani, për një periudhë fillestare, ndamë shtëpinë. Gjithçka ishte në rregull derisa vinte java e derbit: së shpejti do të na duhej të sfidoheshim dhe, donim apo nuk donim, duhej të ishim rivalë. Le të themi se ndonjëherë këmba ime ishte më e lehtë kur e takonte”.

Mbi përjetimin e një karriere të ngjashme me të vëllanë: «A e imagjinonim? As në ëndërr. Nuk shikonim televizor, pale të shkonim në stadium. As që e dija kush ishte Pele apo Cruijff. Por më pas, në moshën dhjetë vjeçare, më rastisi të shikoja atë që për ne italianët ende edhe sot është kryendeshja, pra gjysmëfinalja kundër Gjermanisë në Botërorin e Meksikës. Një tronditje. Atëherë fillova të ëndërroj”.

Mbi atë se kush ka dashur të bëhej: “Ndoshta Pierino Prati”.

Mbi Lombardinë që i dha shumë talente futbollit në kohën e tij: “Shikoni, gjithçka lindte nga pasioni i çdo dite. Ne filluam të luanim në oborrin e shtëpisë me një top lëkure, pastaj një ditë mbërrin një prift, Don Piero Garbella, që na inkurajoi të ndiqnim ëndrrat tona. Futbolli i vërtetë niste në mënyrë fshatareske: kultivimi i fëmijëve nëpër vendet ku lindnin, vëzhgimi i tyre në oborrin e oratorive. Në Unione Sportiva Oratorio Travagliato ishte rregulli për të shkuar për të fjetur në 10 të mbrëmjes. Mendo pak, e bëj akoma”.

Për ardhjen në Milanello: “Më kujtohet? E ç’të kujtuar. Nuk më dukej e vërtetë tek shihja nga afër Gianni Rivera, Nils Liedholm, Nereo Rocco. Më kujtohet ndeshja e parë në Serie A, kundër Veronës. Në transfertë. Fituam ne dhe Nereo, aso kohe drejtor teknik, m’u afrua në dhomat e zhveshjes dhe më tha: “Kuptove gjë?”.

Për Milanin si familje e dytë: “Sigurisht. Kam humbur nënën time kur isha trembëdhjetë vjeç, babanë kur isha shtatëmbëdhjetë. Në gjërat gjithmonë kam kërkuar stabilitet. Në punë, në sport, në familje. A e dini se më 10 shtator mbushëm tridhjetë e tetë vjet martesë me gruan time? Dhe jemi së bashku prej 40 vjetësh”.

Si e ka njohur të shoqen, Maura Lari: «Maura shërbente në tavolinat e restorantit Piccolo Alleluja në Montevarchi. Ishte vajza e pronarit. Masazhatori i Milanit, Paolo Mariconti, vuri re se po e shikoja me kërshëri atë vajzën e bukur bionde. Atëherë u hodh dhe tha: “Zonjushë, të lutem shërbejeni më parë atij, sepse është kapiteni”. U skuqa. Por që atëherë, unë dhe Maura nuk jemi ndarë kurrë dhe çdo vit e festojmë ditën kur u martuam».

Mbi faktin e të qenit njeri me emocione: “Shumë. Kam qarë shumë në ndeshjen time të lamtumirës. Dhe e imja ishte një e qarë gëzimi, sepse të shihja gjithë ata tifozë dhe kolegë që më festonin ishte një emocion i papërjetuar. Pastaj, një herë, në një nga klubet rosonere më lexuan një letër të një tifoz. Qava dhe atje”.

Për tifozin e tij më të zhurmshëm: “Le të themi tifozët e Milanit. Boh, ndoshta Ricky Tognazzi, i këndshëm dhe inteligjent. Por të thuash një emër do të thotë t’ia bësh me hile të gjithë të tjerëve”.

Për Diego Armando Maradonën: “Një herë tha “Baresi është një nga më të mirët”. E thënë nga një kampion i pamasë si Diego, si mund të mos prekesh?”.

Për djemtë Edoardo dhe Gianandrea: Njëri merret me financa, tjetri me art. E shohim dhe e dëgjojmë shpesh njëri-tjetrin. Të bëhesh gjysh? Është një mendim që qarkullon. Të shohim”.

Mbi këshillat që i jep mbesës Regina Baresi, vajzës së Xhuzepes, edhe ajo futbolliste: “Jo, ajo ka një baba më të mirë se unë në këtë aspekt. Ndonjëherë kemi komentuar futbollin e femrave: në Itali jemi ende shumë prapa në këtë, mendoj se ka potencial të madh për të eksploruar”.

Për ëndrrën e tij më të përsëritur: “Ëndërroj shpesh Championsin time të parë me Milanin. Shiko, unë kam jetuar shumë epoka të ndryshme në skuadër, duke përfshirë rënien nga kategoria. Ka pasur ulje-ngritje shumë të thella e nëse sot jam ende këtu, rosoner, nuk është sepse ndihem “një flamur”, por sepse edhe këtu kam kërkuar stabilitet. Kam arsyetuar me faza, siç bëhet në familje. Kam kërkuar një ekuilibër”.

Për mënyrën se si i jeton gjërat: “Çrirem të konsolidoj lidhjet, t’i jetoj gjërat me intensivitet. Kur Berlusconi vendosi të tërheqë fanellën me numrin 6 si nderim për Franco Baresin, për mua ishte diçka e pamatë, edhe sepse ishte një ngjarje e paprecedentë në Itali. Nuk e prisja”.

Për Arrigo Sacchin: “Ishte shumë kërkues, kërkonte maksimumin. Pastaj, në grumbullime, vinte e kontrollonte nëse natën flinim dhe atëherë, kur e dëgjonim tek vinte, niste momenti “fik dritën”. Ai na kontrollonte me përpikmëri e pastaj niste të bisedonte me ne për strategjitë dhe për formacionet”.

Për gjënë më aventureske që ka bërë: “Përveç disa momenteve në futboll, nuk ka pasur asnjë. Mund t’ju them se ka qenë udhëtimi që më rastisi të bëja në Amazonë, midis vendasve dhe banorëve të pyllit. Mund t’ju tregoja për fluturimin në Concord. Por më pëlqen të përgjigjem se për mua ka qenë emocionuese të mund të them se kam njohur tre Papë”.

Mbi atë se çfarë bën kur nuk mendon për futbollin: “Nuk bëj gjëra të veçanta. Lexoj, më pëlqejnë fjalëkryqet, më pëlqen të shëtis, shikoj ndeshje basketbolli dhe veçanërisht tenis”.

Kë do të zgjidhte mes Roger Federer, Rafa Nadal dhe Novak Gjokovic: “Federer, çfarë pyetje. Unë besoj se është një kombinim i talentit dhe hirit. Atë moment që kërkojmë të gjithë”.

You might also like