Milanistat
Milanistat, emocionet kuqezi

Adriano Galliani: Nga 1899, me Berluskonin, kemi fituar 29 trofe me Milanin | Më 1979 Berluskoni më dha një miliard dhe me ndryshoi jetën. Por ne i flasim njëri-tjetrit me Ti

Krahu i djathtë “sportiv” i Kavalierit dhe senator, ai është “më i lumturi nga numrat 2, më bën mirë për psikikën dhe shpirtin. Presidenti është unik dhe nuk mund të ketë trashëgimtarë politikë, në fakt tentativa me Angelino Alfanon shkoi keq. Jeta jonë së bashku ishte si në filmin ‘Arratisje nga Lumturia’

Jemi në zemër të Brerës. Shtëpia e Adriano Gallianit është një muze futbolli. Një lumë kujtimesh dhe anekdotash. Ai, i lindur më ’44-n, gati kërcen. Ende nuk e ka lëshuar adrenalina: “Pas 110 vitesh realizova ëndrrën e nënës sime Annamaria: të sillja Monzën në Serie A. Dhe qava me ngashërim”. Më pas ai e kthen kasetën dhe rrëfen momentin kur jeta e tij ndryshoi përgjithmonë: takimin me Silvio Berluskonin (dhe një miliardë lireta të vjetra). Pa llogaritur betejën kundër Covid-it: “Jam gjallë për mrekulli. Por nuk jam më i njëjti si më parë, për mirë”.

Mbyllni sytë: kujtimi juaj i parë?

“5 vjeç, nëna ime më çoi në stadium për herë të parë: që fëmijë thoja që kur të rritesha doja të bëhesha president i Monzës, dhe kështu u bë. Kam mësuar të lexoj në Gazzetta dello Sport. Nëna ime kishte një kompani të vogël transporti. Prisja që shoferët të shkonin në pushimin e drekës: hipja mbi kamion, vidhja Gazzetën dhe lexoja gjithçka.

Ju jeni numri dy më fitues. E gjen veten në këtë përkufizim?

 “Absolutisht. Kam pasur një fat të madh në jetën time: duke qenë numër dy, po, por i Silvio Berluskonit”.

Cili ka qenë sekreti yt për t’u bërë i tillë?

 “Kam ndjeshmëri të madhe dhe admirim të madh për presidentin. Të bësh numrin dy të tij është perfekte për psikikën dhe shpirtin tim”.

Më trego momentin e saktë ku ndryshoi jeta juaj?

 “E mbaj mend si tani: 1 nëntor 1979. Berluskoni më ftoi për darkë në Arcore. Më pyeti nëse me Elettronica Industriale time, një kompani e vogël që sillte në Itali sinjalin e televizioneve të huaja (Telemontecarlo dhe TV zviceran) mund të ndërtoja tre rrjete kombëtare. Unë thashë, po. Ai m’u përgjigj: “Epo, çmimin bëjeni ju”. Pagoi një miliard lireta të vjetra për 50% të kompanisë sime: Shifrën nuk ia kam treguar kurrë askujt. E shtova, megjithatë, duke qenë se isha bashkëpronar i skuadrës: “Unë jam gati për të punuar ditë e natë për të ndërtuar rrjetet, por më duhet të ndjek Monzën në shtëpi dhe transfertë”. Berluskoni më pa i habitur”.

Pas 42 vitesh, flisni ende me Ju?

 “Ju, e ka një kuptim. Më kujtohet një përgjigje e Cesare Romitit kur e pyetën pse e thërriste me Ju, Avokatin: ‘Ju, nuk heq intimitetin, por jep më shumë autonomi’ ”.

Pastaj fituat gjithçka me Milanin…

“Kemi fituar 29 trofe nga 48 në total të Milanit, që nga viti 1899. Dhe tani kemi fituar Serinë C dhe B me Monzën”.

Tani, Berluskoni, pas dy vitesh mungesë mes Covid-it dhe problemeve shëndetësore, është rikthyer në Romë dhe ka shpallur një zbritje të re në fushë. Është si kthimi i përjetshëm i Niçes?

 “Berluskoni, si të gjithë themeluesit e mëdhenj të historisë, ka një qark mendor të ndryshëm nga të gjithë të tjerët. Ka intuitë dhe ide të pazakonta. Ai e bëri këtë sepse ndjeu se qendra e djathtë ka nevojë për Forza Italia-n. Është kundër të djathtës-djathtas. Presidenti është bujar dhe kur ndjen një nevojë sakrifikohet dhe bën atë që duhet”.

Nëse e krahasoni këtë aventurën tuaj me një film, cila do të ishte ai?

 “Arratisja për fitore, sepse ka gjithçka: politikë, afeksion, skuadër. Por edhe ‘Çdo të diel të mallkuar’ me Al Pacinon”.

Në San Siro ju vazhdoni të ekzaltoheni në një mënyrë të papërmbajtshme. Na thuaj të vërtetën: pse e shitët Milanin? Jeni i penduar?

 “Kjo është një pyetje që i duhet bërë Silvio Berluskonit. Unë jam objekti dhe jo subjekti. Unë jam një njeri i sportit dhe i vë të gjitha aftësitë e mia në shërbim të këtij objektivi. Por vendimet për të blerë dhe shitur Milanin, ashtu si ai për të blerë Monzën, janë ekskluzivisht të presidentit”.

Pyetja më e vështirë. Monza-Milan: dita e fundit e kampionatit të ardhshëm. Ashtu si në Sassuolo këtë vit: kuqezinjtë po luajnë për Skudeton. Betohu, për kë do të bënit tifozllëk?

“Do të bëja tifozllëk për skuadrën që në atë moment do të kishte nevojë për më shumë pikë. Monzën e kam në zemër që kur kam lindur. Me Milanin kam jetuar për 31 vjet. Është e qartë se janë dy dashuri shumë të mëdha”.

Si ia vodhët Parmës, Karlo Ançelotin? Çfarë patë kaq të veçantë tek ish lojtari e më pas trajner, që ka fituar 4 Champions League?

 “E të mendosh se sapo kam qenë në Sevilje për dasmën e djalit të tij. Më 2001 po shkonte në Calisto Tanzi për të firmosur me Parmën. Te Milani patëm vendosur të ndryshonim trajner: telefonova Ancelottin. Më tha: “i kam dhënë fjalën Tanzit”. Të nesërmen në mëngjes shkova në shtëpinë e Karlos. Ishte hera e parë në jetën time që hamë mëngjes me lambrusko, kulatelo, sallam dhe parmixhana. Dhe e bindëm”.

Goditja në merkato për të cilin jeni më krenar?

 “Epo, nga Milan kanë kaluar tetë topa të artë… Por lojtari më i fortë është padyshim Marco Van Basten. Ariedo Braida e kuptoi që ishte një fenomen. Shkuam disa herë në Amsterdam për ta parë me Berluskonin: ishte edhe babai i tij, Luigi. E vumë re se ishte një njeri i madh. Ndërsa gjëja më simpatike ishte Gullit. Gusht 1986, ishim në Bermuda. Në një moment të caktuar presidenti më thotë: “Sonte Milani luan në Barcelonë një quadrangolare (turne me katër skuadra)”. Morëm avionin dhe fluturuam atje. Berluskonit, si njeri i spektaklit, i ra menjëherë në sy ky gjiganti i PSV-së, me prezencë të madhe skenike: me gërsheta, me ngjyra, ishte mbrojtës. Presidenti u çmend: “Duhet ta marrim!”. Por më 1986 nuk ishte e mundur të bliheshin lojtarë të huaj. Një vit përkëdheli, dhe më 1987 ia dolëm, pas një negociate shumë të gjatë”.

Kush do të jetë trashëgimtari i Berluskonit në drejtim të Forza Italia?

“Silvio Berluskoni nuk mund të ketë trashëgimtarë. Sepse është unik. Por nuk është një problemi sot: trashëgimtarët eventualë mund të presin”.

Pse nuk është gjetur kurrë një pasardhës i vërtetë? Angelino Alfano u përpoq, por përfundoi keq.

 “Pikërisht, është e pamundur të bësh trashëgimtarin e tij”.

Gjatë zbritjes së re në fushë, Berluskoni ka rievokuar rrezikun e komunizmit. Por vërtet ai beson se në Itali ekziston ende ky rrezik?

 “Është një komunizëm ndryshe, i përfaqësuar nga ideologji joliberale dhe majtiste. Pastaj sigurisht, nuk ka më Stalin dhe Beria. Kur e kam njohur Berluskonin, më fliste gjithmonë për Don Sturzo: ai është padyshim një politikan i qendrës. Pa të ekziston vetëm e djathta e djathtë”.

Por, presidenti ndonjë gabim duhet të ketë bërë, apo jo?

“Qeveritë e tij kanë bërë shumë. Por ndërmjetësimi midis dy aleatëve aq të ndryshëm si Lega në Veri dhe Alleanza Nazionale në Jug e kufizoi shumë aksionin reformator”.

Na tregoni se kur e zemëruat Kavalierin…

 “Patjetër (buzëqesh). Më kujtohet kur Franco Tatò ishte CEO i Fininvest. Grupi ishte pak a shumë me borxhe dhe, para kuotizimit në Bursë, vuri një frenë të madhe: të gjitha investimet duhej të miratoheshin paraprakisht prej tij. Dërgova një letër për të thënë: Stop. Atë mbrëmje bleva Marcel Desailly për 10 miliardë lira, në padijeni të të gjithëve. Ndenja fshehur për disa ditë, sepse e pata bërë operacionin pa lajmëruar presidentin. Por Boban u dëmtua dhe ishte i vetmi vit që fituam Kampionatin dhe Kupën e Kampionëve”.

Megjithatë, Berluskoni, sigurisht që iu zemëroi kur vendosi vajzën e saj Barbara në krye të Milanit …

 “Dhashë dorëheqjen. Mund të kisha shkuar në Kinë. Berluskoni më thirri në Arcore në mbrëmje dhe i thashë se një Milan me dy koka ishte i pamenaxhueshëm. “Do ta gjej një zgjidhje”, ndërmjetësoi ai. Ishte dita kur Alfano u largua nga Forza Italia. Dhe Silvio më tha: “Sot iku Angelino, nuk mund të shkosh edhe ti”. Unë u përgjigja: “Bindem”, si një Garibald i ri”.

Si po administrohet Milano?

“Nuk përgjigjem, sepse jam mik personal i kryebashkiakut Beppe Sala”.

Ju kishin propozuar edhe të kandidonit për kryebashkiak. Pse refuzuar?

“E vërtetë. Nuk e bëra, sepse unë kam në zemër futbollin. Më merr shumë kohë. Dhe kryebashkiak i Milanos është një angazhim total, ditë e natë”.

Ekspertët e merkatos të kanë riemërtuar “Condor” për vizionin dhe aftësinë për të zgjedhur. Cilin politikan do të punësonit nga një parti tjetër?

 “E dua shumë Pier Ferdinando Casinin. Por edhe këtu është ndjenja”.

Në fund ju mungonte vetëm Parlamenti. Madje keni shkuar edhe aty, në Senat

 “Berluskoni ma propozonte që nga viti 1994. Gjithmonë kam refuzuar. Më 2018 ishte vera e parë pa futboll pas dekadash dhe kështu pranova. Por nuk do të kandidoj më: Silvio nuk e di ende, por do ta lexojë sot në këtë intervistë”.

E rrezikuat seriozisht jetën prej Covid-it?

 “Pata shumë frikë. Nuk isha vaksinuar, sepse nuk kishte ende doza sa duhej. Pata pneumoni bilaterale. Më shpëtoi profesor Alberto Zangrillo, i cili nuk më intuboi. Kisha deri në 10 litra oksigjen. Më kaloi përpara e gjithë jeta ime. Njëmbëdhjetë ditë terapi intensive. Një pellg ujëmbledhës: nuk jam më Adriano që isha më parë. Zemërohem shumë më pak. Prioritetet e mia kanë ndryshuar, jam më i qetë”.

Çfarë ka pas jetës tokësore?

 “Shpresoj që të ketë një jetë të përtejme. Une kam besim. Ndoshta nuk jam shumë i vëmendshëm: nuk i kam respektuar gjithmonë të 10 Urdhëresat”.

Po, keni tre gra …

“Mendoj se dikush do na gjykojë në jetën e përtejme. Kam bërë shumë gabime, por mendoj se jam shpirt i mirë”.

Çfarë do të bëni kur të rriteni?

“Kjo sfidë me Monzën, për të cituar një film tjetër, është The Last dance”.

NGA CLAUDIO BOZZA/ SETTE.CORRIERE.IT

Përkthyer posaçërisht për Milanistat.net nga Dardan MITROVICA

You might also like